Policia konfiskon 31 kilogramë substancë narkotike

18 gusht 2021 | 11:49

Antidroga e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës ka konfiskuar 31 kilogramë substancë të dyshuar narkotike dhe ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për blerje, posedim apo shpërndarje të paautorizuar të saj

“Policia e Kosovës në luftën e saj për identifikimin dhe parandalimin e dukurisë së posedimit, përdorimit apo shitblerjes së substancave narkotike, përmes zyrtarëve policor të anti-drogës ka realizuar dje një operacion policor me ç ‘rast janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar dhe janë konfiskuar (31 kg) tridhjetë e një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”.

“Operacioni policor është ndërmarr dje me datë 17.08.2021, në Komoran të Drenasit, pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara nga njësia rajonale e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik në Prishtinë, në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia ka njoftuar se në këtë operacion është konfiskuar vetura Passat me targa vendore pronë e të dyshuarit mashkull (shtetas i Kosovës), në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar dy thasë të mbushur me 31 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

“Po ashtu është konfiskuar edhe vetura (me targa të Shqipërisë) e personit të dyshuar mashkull shtetas i Shqipërisë, dy telefona celularë, para: 1050 euro dhe 13500 lekë. Me urdhër të prokurorisë është realizuar edhe një bastisje në lokacionin e të dyshuarit mashkull kosovar të sipër cekur në rast dhe është sekuestruar edhe një veturë tjetër (e tretë) në të cilën janë gjetur mbetje të vogla të substancave narkotike. Personat e arrestuar nga Policia e Kosovës me vendim të Prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është vaksinuar 16-vjeçari…