Policia mban ligjërata në shkolla për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike    

26 shkurt 15:33

Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim në kuadër të aktiviteteve të saja parandaluese dhe vetëdijësuese më 22-26 shkurt 2021, ka zhvilluar disa aktivitete përmes ligjëratave në shkolla të mesme dhe shkollat e mesme të ulëta në komunën e Podujevës.

Me kërkesë të Stacionit Policor të Podujevës dhe me koordinim të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe drejtorëve të shkollave, ligjëratat janë mbajtur kryesisht për temën “Substancat narkotike dhe pasojat e tyre” dhe janë zhvilluar në shtatë shkolla  (tri shkolla të mesme dhe katër shkolla të mesme të ulëta).

“Interesimi ka qenë mjaft i madh për pjesëmarrje duke pasur bashkëbisedim mes policisë, nxënësve dhe arsimtarëve se si duhet mbrojtur veten, parandaluar dhe raportuar këtë dukuri të dëmshme shoqërore. Pjesëmarrja e nxënësve në këto ligjërata për gjithsejtë pesë shkolla arrin 230 nxënës”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, në kuadër të këtyre aktiviteteve do të vizitohen edhe dy shkolla tjera për të përfunduar kështu organizimin vetëdijesues të koordinuar dhe mbështetur nga Stacioni Policor i Podujevës.

“Policia e Kosovës është gjithnjë e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë që të rinjtë t’u shmangen dukurive negative që ndikojnë keq në shoqëri. Zyrtarët nga kjo drejtori kanë ligjëruar duke respektuar udhëzimet dhe masat  bazuar në manualin dhe rekomandimet e IKShPK-së”, është theksuar në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), zëdhënësi i KQZ-së,…