Policia në aksion për mbylljen e lojërave të fatit

18 korrik 2019 | 16:28

Policia e Kosovës (PK), konkretisht Njësiti i Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, më 16 korrik ka ekzekutuar urdhër kontrolle në lokalin e të dyshuarit (A. S.) në qytetin e Vitisë, për shkak të dyshimit të bazuar se merret me ‘organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit të paligjshëm’.

Gjatë kontrollit tek lokali i të dyshuarit të lartshënuar janë gjetur dhe janë konfiskuar shtatë shtëpiza, gjashtë TV, një DVD kompjuterike, një telefon mobil ‘Samsung’, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante për rastin. “I dyshuari i lartshënuar me rastin e kontrollit të lokalit të tij nuk është paraqitur në vendin e ngjarjes si pronar, duke i ikur përgjegjësisë”, është thënë në njoftimin e policisë.

Në rastin e dytë më 17 korrik Policia e Kosovës ka ndaluar të dyshuarin në fshatin Dobresh-Viti dhe i njëjti është shoqëruar në polici, për procedura të mëtejme.

Sipas policisë, i dyshuari është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu, më 17 korrik, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me Qendrën Rajonale Operative, si dhe Njësitë për Reagim të Shpejtë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe operacionale, pasi që dyshohej se në Prizren në një lokal pa emër janë duke u zhvilluar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj. “Pas kryerjes së veprimeve hetimore, ku është përgjigjur edhe njësia për luftimin e krimeve kibernetike, në koordinim të plotë dhe me autorizim verbal të prokurorit kompetent të Prokurorisë Themelore të Prizren është konfiskuar aparatura e hasur në lokalin në fjalë, dy shtëpiza dhe tre monitorë. Dy të dyshuar në këtë rast, një menaxher dhe një punëtor në këtë lokal, janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin sipas procedurës së rregullt është iniciuar rasti”, është theksuar në njoftimin e policisë.

Përderisa në Vushtrri më 17 korrik  është raportuar se Njësiti i Hetimeve të Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një të dyshuar, pasi që i njëjti ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit ndërsa gjatë kontrollit në lokalin e tij janë gjetur dhe janë konfiskuar si prova materiale, nëntë aparate të lojërave, ndërsa lokali i është mbyllur nga inspektorati kompetent.

I dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, përderisa rasti vazhdon të hetohet.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbetet e përkushtuar dhe vazhdon me realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, identifikimin e kryerësve të veprave të ndryshme penale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat dhe procedurat ligjore.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll (femrat) ka lëshuar rast…