Policia rrit prezencën në veri

08 dhjetor 2022 | 21:05

Në ditët në vijim, në katër komunat në veri të Kosovës, do të rritet prezenca policore, bëri të ditur Policia e Kosovës.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rrisë prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, u tha në njoftimin e këtij institucioni të sigurisë.

“Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend”, ka njoftuar policia.

Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata.

Të martën, autoritetet bën të ditur se zyrat e komisioneve komunale zgjedhore u dëmtuan nga “mjete të rrezikshme”, nga grupe dhe persona “të maskuar”.

Po ashtu, më 8 dhjetor kishte tentim të plaçkitjes së Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Incidentet më 6 dhjetor ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.

Autoritetet në Kosovë i cilësuan këto incidente si “sulme terroriste” dhe thanë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.

Pas incidenteve të 6 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi shtim të prezencës policore në veri për shkak të “krimeve dhe sulmeve” në këtë pjesë të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha…