
Policia parandalon kontrabandimin e një sasie të barnave në Zhegër
Policia Kufitare e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e një sasie të barnave në Zhegër të Gjilanit.
Policia ka bërë me dije se të martën në rrugët e këtij fshati kanë identifikuar një automjet (kombi), si të dyshuar që mund të kontrabandonte mall.
Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, sipas policisë, automjeti i braktisur në një rrugë është lokalizuar dhe pronari i automjetit është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.
“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje-Kaçanik, Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Zhegër, gjatë kryerjes së detyrave në parandalimin dhe zbulimin e kontrabandës, me datë 02.11.2021, rreth orës 21:10, në rrugët e fshatit Zhegër, fshat i cili shtrihet afër vijës kufitare me Republikën e Maqedonisë veriu, kanë identifikuar një automjet (kombi), si të dyshuar që mund të kontrabandonte mall. Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, automjeti kombi i braktisur në një rrugë është lokalizuar nga Policia si dhe, pronari i automjetit është identifikuar dhe ndodhet në kërkim”, është thënë në njoftimin e policisë.
Policia ka treguar se gjatë kontrollimit të automjetit të dyshuar janë gjetur një sasi e konsiderueshme e llojeve të ndryshme të barnave të cilat janë konfiskuar si prova/dëshmi relevante.