Policia thotë se 28-vjeçari nga Malisheva dyshohet se është kidnapuar

22 nëntor 2020 | 16:19

Një 28-vjeçar nga fshati Rud i Komunës së Malishevës është raportuar i zhdukur gjatë ditës së sotme.

Familjarët e tij kanë thënë për “Klan Kosova” se ai është larguar nga shtëpia dje rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer më.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës Nysret Gjurkaj, ka thënë se po dyshohet se i riu nga Malisheva është kidnapuar.

Gjurkaj ka theksuar se familjarët kanë pranuar një foto të një personi i cili ishte i lidhur me litar.

Por, ai ka theksuar se nuk dihet vendi dhe koha e fotos.

“Ju njoftojmë se sot me datë 22.11.2020 rreth orës 09:00 në stacionin policor-Malishevë, ka ardhur familjari i personit të zhdukur dhe i cili njoftoi se dje me datë 21.11.2020 rreth orës 17:00 vëllai i tij J.Sh.R, lindur me 1993 kishte dalë nga shtëpia në fshatin Rud, dhe që nga ajo kohë edhe pas kërkimit tek të afërmit e tyre nuk kanë mundur të kontaktojnë me të”.

“Patrullat policore nga stacioni policor në Malishevë dhe disa bashkëfshatarë janë në kërkim të tij. Sipas informacioneve dyshohet se bëhet fjalë për kidnapim (familjarët kanë pranuar një foto të një personi i cili ishte i lidhur me një litar), edhe pse nuk dihet lokacioni dhe koha e fotos. Pritet të angazhohet dhe Njësia ‘K-9’ në kërkim të të zhdukurit”, ka thënë Gjurkaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së 11-të në…