Politika nuk është marrë seriozisht me pandeminë

31 mars 2021 | 09:18

Infektologu Ilir Tolaj ka kritikuar institucionet politike në vend për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Ai ka thënë se politika e ka shfrytëzuar pandeminë më shumë për qëllime politike sesa që është marrë seriozisht me të.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tolaj ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë marrë me pandeminë nëmënyrë joprofesionale. “Politika në përgjithësi e ka shfrytëzuar pandeminë më shumë për paraqitje publike me qëllim të ndonjë kredie politike sesa që është marrëseriozisht me pandeminë. Veprimet e politikës kanë qenë të vonuara, joadekuate, joprofesionale dhe shpeshherë konfliktuoze”, ka thënë Tolaj.

Ai ka bërë me dije se Kosova deri më tash e ka kaluar pandeminë më mirë se shumë vende të rajonit dhe të botës.

Por, sipas tij, kjo ka ndodhur jo për shkak të politikës dhe institucioneve  shëndetësore. “Ky është një fakt evident. Por, kjo nuk është meritë e menaxhimit nga ana e institucioneve shëndetësore dhe politike të Kosovës. Merita i takon strukturës unike të popullatës së Kosovës. Ne kemi një popullatë shumë të re, ndërsa përqindja e popullatës së moshuar është jashtëzakonisht e ulët. Është ky faktori vendimtar i cili e ka përcaktuar ecurinë e këtillë të pandemisë te ne”, ka thënë ai.

Tolaj është shprehur se numri i rasteve të reja ende nuk është i atillë për të qenë shqetësues. Me këtë nivel, sistemi shëndetësor, pa ndonjë sforcim të tepruar, është në gjendje që të përkujdeset me pacientët e hospitalizuar. Në një situatë të këtillë, nuk e shoh të arsyeshme vënien e masave të rrepta kufizuese. Mirëpo, është e nevojshme që të rishqyrtohen disa masa të deritashme, si dhe të mbikëqyren në mënyrë më serioze masat e deritashme. Ne jemi dëshmitarë se tash në Kosovë askush nuk e respekton as edhe një masë të vetme anti-Covid”, ka deklaruar Tolaj.

“Epoka e re”: Z. Tolaj, më në fund kanë arritur vaksinat anti-Covid (COVAX) në Kosovë.

Tolaj: Ardhja e vaksinave në Kosovë është një moment i rëndësishëm në luftën kundër pandemisë Covid-19. Ne tashmë nuk jemi i vetmi vend i rajonit i cili nuk kishte arritur të sigurojë asnjë vaksinë anti-Covid. Mirëpo, duhet pranuar faktin se sasia e vaksinave të ardhura është simbolike, ndërsa ndikimi real i vaksinimit të 12 mijë personave në ecurinë e pandemisë, sa mund të vaksinohen me këto vaksina, është i papërfillshëm.

“Epoka e re”: Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 13 mijë doza do të shpërndahen për stafin shëndetësor, kurse 11 mijë tjera për personat mbi 80 vjeç. Si e keni parë këtë plan të ministrisë?

Tolaj: Ky plan, duke i dhënë prioritet vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë dhe të moshuarve, veçanërisht atyre që jetojnë në institucionet e kujdesit të vazhdueshëm, është në fakt një plan i ndjekur nga shumica e vendeve të botës. Ka edhe vende të cilat në rend të parë kanë vënë vaksinimin e popullatës mobile dhe asaj të aftë për punë, duke u kujdesur që të moshuarit të mbrohen me masat e distancimit strikt social. Është në vullnetin dhe vlerësimin e autoriteteve shëndetësore dhe politike të Kosovës për të vendosur se cilin plan do ta ndjekin. E rëndësishme është që brenda një periudhe të shkurtër kohore, prej disa muajve, të vaksinohen sa më shumë persona, mundësisht jo më pak se 30-50 për qind e popullatës së Kosovës. Vetëm kështu, me vaksinim dhe me të kaluarit në mënyrë natyrore të infeksionit, do të jemi në situatë për ta krijuarin imunitetin kolektiv, i cili do ta ndryshojë kahun e pandemisë, duke e ndërprerë atë, duke mos lejuar shfaqjen e valëve të reja të pandemisë dhe duke e reduktuar numrin e rasteve të reja në nivele të papërfillshme.

“Epoka e re”: Kosova është bërë vend i fundit që ka siguruar vaksinat anti-Covid. A ka mundur të bëhet mëtepër për sigurimin këtyre vaksinave?

Tolaj: Padyshim. Situata në të cilën është Kosova është pasojë e angazhimit të pamjaftueshëm apo mungesës së dijes të zyrtarëve që kanë udhëhequr institucionet shëndetësore e politike të Kosovës. Shembujt e vendeve të rajonit kanë treguar se angazhimi serioz i udhëheqësve të vendeve rreth nesh kanë rezultuar me suksese të caktuara. Si duket personave përgjegjës u ka munguar dija dhe përvoja për negociata e kontraktime të nivelit të këtillë ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Kohën e fundit është rritur numri i infektimeve, ndërsa institucionet ende nuk kanë marrëndonjë masë të re për t’i kufizuar lëvizjet?

Tolaj: Numri i rasteve të reja ende nuk është i atillë për të qenë shqetësues. Me këtë nivel, sistemi shëndetësor, pa ndonjë sforcim të tepruar, është në gjendje që të përkujdeset për pacientët e shtrirë. Në një situatë të këtillë nuk e shoh të arsyeshme vënien e masave të rrepta kufizuese. Mirëpo, është e nevojshme që të rishqyrtohen disa masa të deritashme, si dhe të mbikëqyren në mënyrë më serioze masat e deritashme. Ne jemi dëshmitarë se tash në Kosovë askush nuk e respekton as edhe një masë të vetme anti-Covid.Politika nuk ka ndonjë të drejtë morale për të ndërmarrë masa të mbylljes, sepse është politika dhe janë politikanët, me fushatën e tyre parazgjedhore dhe me shkeljen brutale të secilës masë anti-Covid, përgjegjës për valën e tretë të pandemisë në Kosovë.

“Epoka e re”: Secili ministër i Shëndetësisë është lavdëruar për menaxhimin e mirë të pandemisë. Cili është vlerësimi juaj për menaxhimin që Kosova i ka bërë pandemisë?

Tolaj: Kosova e ka kaluar pandeminë deri tash më mirë se shumë vende edhe të rajonit e edhe të botës. Ky është një fakt evident. Por, kjo nuk është meritë e menaxhimit nga ana e institucioneve shëndetësore dhe politike të Kosovës. Merita i takon strukturës unike të popullatës së Kosovës. Ne kemi një popullatë shumë të re, ndërsa përqindja e popullatës së moshuar është jashtëzakonisht e ulët. Është ky faktori vendimtar i cili e ka përcaktuar ecurinë e këtillë të pandemisë te ne. Në Kosovë janë infektuar një numër shumë i madh i qytetarëve, shumëfish më shumë sesa që është numri zyrtar i të infektuarve, shumica prej tyre madje pa e ditur fare. Kjo flet se në Kosovë kemi pasur një shkallë konsistente të infektueshmërisë së popullatës si pasojë e dështimit të mbikëqyrjes së masave anti-Covid të proklamuara, duke krijuar një nivel të kënaqshëm të imunitetit kolektiv në mesin e saj. Jam shumë i bindur që është ky nivel i këtij imuniteti kolektiv i cili deri tash, edhe në valën e tretë, po e mban situatën në nivelin e përballueshëm. Politika, në përgjithësi, e ka shfrytëzuar pandeminë më shumë për paraqitje publike me qëllim të ndonjë kredie politike sesa që është marrëseriozisht me pandeminë. Veprimet e politikës kanë qenë të vonuara, joadekuate, joprofesionale dhe shpeshherë konfiktuoze.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka uruar kryeministrin e Kosovës,…