Pompeo dhe Lukashenka diskutojnë në telefon, presioni opozitar vazhdon të rritet

25 tetor 2020 | 14:20

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Mike Pompeo, ka zhvilluar një telefonatë me liderin e Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, derisa presioni po rritet mbi udhëheqësin autoritar përpara një ultimatumi të opozitës për t’i dhënë fund mandatit të tij ose do të përballet me protesta dhe greva në mbarë vendin.

Departamenti i Shtetit i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” më 24 tetor se Pompeo ka kërkuar lirimin e një strategu politik bjelloruso-amerikan, ndalimin e të cilit qeveria e ShBA-së e ka quajtur “të padrejtë”.

“Sekretari bëri thirrje për lirimin e plotë dhe largimin e menjëhershëm nga Bjellorusia të shtetasit amerikan të ndaluar padrejtësisht, Vitali Shkliarov, dhe rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për aspiratat demokratike të popullit të Bjellorusisë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Shkliarov, i cili punoi në fushatat e ish-presidentit Barack Obama dhe senatorit Bernie Sanders, është arrestuar në fund të korrikut ndërsa ishte duke vizituar familjen e tij në Bjellorusi.

Ai është liruar me kusht në pritje të gjyqit për ato që konsiderohen gjerësisht si akuza politike të trilluara.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve ku Lukashenka sërish është udhëheqësi i ligjshëm i ish-Republikës Sovjetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfundoi pjesa e parë e ndeshjes Prishtina-Gjilani, e cila po…