Populli shqiptar e njeh mirë UÇK-në (23)

05 gusht 2020 | 11:49

Shkruan: Kudsi Lama

Duke lexuar këto pjesë deklarimesh të krijohet ideja sikur nuk flitet për vendin ku jetojmë ne, por për një vend tjetër me të cilin nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk jemi parë kurrë. Siç duket, më mirë e dinë Serbia dhe Dick Marty se çfarë ndodh tek ne sesa e dimë vetë; siç duket më shumë na duan neve Serbia dhe Dick Marty sesa e duam ne veten tonë; siç duket më të shqetësuar janë Serbia e Dick Marty për të ardhmen tonë sesa ne vetë që do ta ndërtojmë e do ta jetojmë vetë dhe me pasardhësit tanë. Ky është mashtrimi më banal që mund të besojë njeriu, por ja që i kemi kujdestarët edhe për këto çështje, kemi Serbinë dhe megafonin e saj Dick Marty-n; atyre duhet t’u kërkonim e t’u kërkojmë ndihmë për të na shpëtuar nga UÇK-ja, që na paska ardhur prej se dimë nga ku dhe që paska në program shkatërrimin tonë si popull e si komb.

UÇK-në ky popull shqiptar e njeh mirë, se ajo nuk ishte një instrument UFO-sh, por ishin djemtë dhe vashat e këtij populli, ishte edukata e këtij populli, ishte trashëgimia e këtij populli, ishte gjaku i këtij populli i ndezur për liri, ishte shpresa e shqiptarëve për ta ndërtuar jetën dhe ardhmërinë e tyre, ishte qytetaria shqiptare që nuk mund të jetonte më në robëri, ishte dëshira shqiptare për t’u bërë si të tjerët. E këta djem e vasha shqiptarët nuk i kanë frikë, se askush nuk ka frikë nga familjarët e vet. E udhëheqësit e kësaj ushtrie dhe lufte ishin djem dhe vasha të farkëtuar në veprimtarinë e gjatë kombëtare, nuk ishin të rekomanduar të dikujt, ndoshta atë keni pasur dëshirë ju që të ishin të rekomanduarit tuaj, siç jeni mësuar prej një shekulli, por kësaj radhe nuk ndodhi ashtu dhe shqiptarët fituan.

Jo zotërinj serbë dhe zotëri Dick i Evropës, nuk do të kërkojmë të na shpëtoni ju nga liria jonë të cilën e kemi dhuratë nga lufta e atyre që ju na i paraqitni si rreziku ynë; atyre që për lirinë e vunë veten para armëve tuaja dhe nuk u trembën, por u ndeshën deri në vetëmohim, ku shumë prej tyre u bënë dëshmorë të atdheut vetëm që ju të mos jeni më kujdestarët tanë. Ju mund të vazhdoni të shpifni, por ne e dimë kush jemi, e dimë kush është UÇK-ja, e dimë kush janë udhëheqësit tanë dhe kur të bëjnë gabime i korrigjojmë vetë e, ndoshta, kur ndonjëri e bën borxh edhe e dënojmë, por kurrë jo sipas këshillave serbe. “Krahas kontrabandës së narkotikëve, grupet e organizuara kriminale nga Kosovë – Matohia merren edhe me tregtinë ilegale të armëve, me cigaret dhe mallrat e tjera akcizë, me automjete të vjedhura, me kontrabandën e mishit të bardhë dhe me rishitjen e organeve të njerëzve”.[1]

Besoj gjithkush e kupton mirë se sa të lehtë e ka pasur zotëri Marty ta përpilojë raportin e vet në qoftë se e ka shkruar vetë e nuk i është dhënë i gatshëm. Akuzat që shpifen më sipër janë identike si të raportit. Është shumë e habitshme si ka koinciduar që të dy raportet, ai i 2004-s dhe ai i 2010-s, ta kenë të njëjtën terminologji dhe të njëjtat shpifje akuzuese për Ushtrinë Çlirimtare dhe drejtuesit e saj, të cilët, meqenëse janë kundër dhe në luftë me Serbinë, nuk janë tjetër veçse kriminelë, që janë të aftë të bëjnë të gjitha krimet e mundshme, çfarë kanë lexuar serbët dhe Dick Martyn në librat e shkruara për mafinë botërore në gjithë historinë e saj.

“Duke pohuar se kriminelët shqiptarë kanë pasur rolin kryesor në krimin e organizuar edhe në vende të shumta të Evropës, veçanërisht në lidhje me tregtinë e narkotikëve, përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, në raportin e tyre të vitit 2000 kanë vërejtur se krimi i organizuar në Kosovë – Metohi është i lidhur me ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe me kriminelët nga Shqipëria e Veriut. Sipas gjetjeve të zyrtarëve evropianë, krahas veprimtarive kriminale të përshkruara, në Kosovë – Metohi janë përfaqësuar edhe tregtia me njerëzit, me forcë, përfaqësuesit e organeve të policisë dhe të gjykatave, si dhe dhunë mbi baza nacionale, gjatë së cilës spastrimi etnik është trajtuar si biznes i leverdishëm. Kështu, gjatë vitit 2000 “mediat perëndimore e kanë përshkruar Kosovë – Metohinë si ‘ferr gangsterësh’, përkatësisht si territorin që udhëheqësit evropianë gjithnjë e më shpesh e shikojnë si bazën e krimit të organizuar, sidomos të tregtisë me drogën”.[2]

Kush e beson që kriminelët shqiptarë paskan pasur rolin kryesor në krimin e organizuar në Evropë? Vetëm serbët dhe Dick Marty, apo ka edhe të tjerë? Natyrisht që në gjithë këtë propagandë ka edhe të tjerë, se po të mos kishte nuk do të kishte arritur dot zotëri Marty, ta bindte Këshillin e Evropës, por ajo që më vjen në mendje është: Ne shqiptarët paskemi vendin e parë në Evropë e, ndoshta, në Botë për organizimin e krimit; dhe dihet që organizimi i krimit është shumë i vështirë se, përveçse kërkon mjeshtri për t’i dominuar sivëllezërit e organizatës, por edhe gjithë trysninë dhe luftën që të bën shoqëria, ligjet njerëzore, opinioni, konkurrenca etj.; pse pra Evropa e bota nuk na e jep vendin e parë edhe në art, në shkencë, në kulturë, në politikë, në diplomaci etj? Sa dorëlëshuar qenka e para Serbia e pas saj edhe Evropa për të na vënë në vend të parë si kriminelë. Por ne e dimë se çdo të mirë që kemi mësuar, por edhe çdo të keqe e kemi mësuar nga ata që kanë qenë më të zhvilluar se ne e më të mëdhenj se ne, kështu i takon që shumë gjëra ne shqiptarët i kemi mësuar nga Evropa e edhe nga Serbia që na ka mbajtur një shekull të pushtuar, pra edhe organizimin e krimit. Asgjë nuk lind pa një model. Nëse Evropa, Serbia dhe Bota pranojnë që modelet i marrin nga ne shqiptarët, edhe ne do të pranojmë që ndoshta jemi jo baba i mirë, por baba i kësaj bote që po na akuzon.

Dhe ajo që është më interesante edhe brenda ndër shqiptarë, Serbia dhe zoti Marty bëjnë diferencime, nuk i futin të gjithë në një thes. Pra, edhe këtu nuk janë të gjithë shumë të zotë në këtë fushë, por disa edhe janë: “ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe me kriminelët nga Shqipëria e Veriut”. Shumë të zotë ata djem a vasha që krijuan UÇK-në dhe na çliruan nga pushtimi shekullor serb, por që të jenë më të zotë në Evropë në fushën e organizimit të krimit, që është fusha më e vështirë e kur është kjo fushë e zotëruar prej tyre, natyrisht se fushat e tjera nuk i kanë fare të vështira t’i zotërojnë e të dominojnë. Këtë e vërtetuan me vepra; ata vërtetuan se janë luftëtarë të papërballueshëm sepse hodhën jashtë armikun dhe çliruan atdheun, se janë atdhetarë me bindje dhe arritën të marrin gjithë popullin pas vetes, se janë politikanë të nivelit të lartë pasi bënë gjithë botën moderne me vete; sepse fituan simpatinë e të gjithë njerëzve të ndershëm dhe u bënë modeli botëror se si duhet luftuar për liri, sepse u bënë bashkëpunëtorë të suksesshëm të NATO-s në luftë që të tjerët me ushtri të mëdha klasike nuk e kanë provuar akoma dhe ishin aq bashkëpunëtorë të suksesshëm sa u bënë modeli i kohës, ashtu sikurse jam i sigurt se ata që kanë ardhur në politikë nga radhët e kësaj ushtrie, janë më të përkushtuarit për ta zhvilluar vendin dhe më të sigurtit për ardhmërinë e tij, që natyrisht do të bëhen edhe partnerë të suksesshëm të politikës moderne të kohës. Pra, le të bëhet një evidencë e vlerave të UÇK-së dhe pastaj në këtë evidencë vlerash parësore në Evropë, le të futet diku nga fundi edhe organizimi i krimit, por që ju serbët dhe megafoni juaj Dick Marty, të na bëni ne shqiptarëve kampionë të krimit në Evropë njerëzit me mend e me logjikë nuk duhet ta besojnë, por ja që paska edhe të tillë.

Megjithatë, unë kuptoj se kur të prishen interesat, bëhesh edhe agresiv. E këtë është e kuptueshme që e bëjnë serbët duke u vënë shqiptarëve gjithfarë epitetesh fyese e akuzuese. Për këtë unë kam pretendimin pse ne nuk merremi me demantimin e tyre dhe me akuza e shpifje të nivelit siç merren edhe serbët. Por zotërinë Marty me urrejtjen e tij të deklaruar patologjike për shqiptarët nuk e kuptoj fare, po fare.

“Territori i Kosovë – Metohisë, për sa i përket krimit të organizuar është ndarë në tri zona kryesore interesi: qarku i Drenicës, i Dukagjinit dhe i Llapit, në të cilat veprimtarinë kriminale e kontrollojnë disa udhëheqës të ish-UÇK-së, tani udhëheqës në strukturat politike, si dhe më parë, bashkëpunëtorë të ngushtë të AKSh-së, të cilët kanë financuar punën e saj”.[3]

Pasqyrë të plotë i ka dhënë Serbia zotëri Martyt për raportin, prej të cilit ai ka shfrytëzuar vetëm ato pjesë që i janë nevojitur për momentin siç është “grupi i Drenicës”, pasi me të tjerët nuk guxon të merret, pasi me ta si me Dukagjinin ashtu edhe me Llapin e ka humbur gjyqin.

“Zona e Drenicës, përgjatë rrugëve strategjike, që lidhin territorin e Malit të Zi me Maqedoninë nëpërmjet Prizrenit, Klinës, Istogut, drejt Mitrovicës, në qarkun e Shalës, paraqet zonën që kontrollon grupi i Drenicës, besnike e Hashim Thaçit. Ky grup merret me tregtinë ilegale të armëve me automjete të vjedhura, me njerëz, me mallra akcizë, para së gjithash me cigare dhe me karburante. Nëpërmjet lidhjeve familjare që ka në këtë zonë, Thaçi kryen drejtpërdrejt kontrollin mbi institucionet vendore, duke siguruar, në këtë mënyrë, kryerjen e veprimtarisë së përmendur kriminale. Familja Thaçi është lidhur me mafien shqiptare, maqedonase, bullgare dhe çeke”.[4]

 

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 28, botimi serbisht

[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 28 – 29, botimi serbisht

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 30, botimi serbisht

[4] Po aty faqe 30

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë do të financojë shkollimin e kandidatëve të…