Posta e Kosovës emeton pullën postare “550 Vjetori i vdekjes së Skënderbeut”

18 janar 13:18

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Posta e Kosovës  ka lëshuar në qarkullim pullën postare me imazhin e Skënderbeut që mban titullin “550 Vjetori i vdekjes së Skënderbeut”.

Një pullë postare me portretin e Skënderbeut e ka emetuar edhe Posta e Maqedonisë. Të dyja këto pulla janë promovuar dje në një akademi të organizuar nga Qeveria e Kosovës në të cilin kanë folur kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të ndryshme nga të dyja vendet si dhe kryeshefat e dy postave, Sejdi Hoxha dhe Fadil Rexhepi.

Vepra  e lavdishme e Skënderbeut fillon me kthimin në Krujë, ngritjen e flamurit me shkabën dykrenore dhe bashkimin e princave arbërorë në luftën kundër Perandorisë më të fuqishme të asaj kohe. Për 25 vjet rresht, Kryetrimi ynë mbrojti jo vetëm trojet arbërore por edhe parandaloi invadimin e Perandorisë Osmane në thellësi të kontinentit evropian.

Për luftën e tij heroike është nderuar nga shumë popuj evropianë dhe më gjerë, me shtatore, buste si dhe me emrin e tij janë emërtuar sheshe, rrugë dhe institucione të ndryshme.

Heroi më i madh i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u lind më 6 maj 1405 në Dibër dhe vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë.

Viti 2018 është shpallur zyrtarisht si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”.

Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të nderoj personalitete të shquara të kombit shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka bërë me dije se planifikon ndërhyrje ushtarake në…