Pranvera e përgjakur e vitit 1999

18 prill 2022 | 16:03

Afrim Hysenaj

 

Një përkujtim ndryshe

 

Dje u shënua 23-vjetori i një krimi monstruoz mbi banorët civilë të fshatit Poklek të Drenicës.

Nesër, pasnesër, ditë dhe javë të tjera do të vazhdojë të shënohet një përkujtim tjetër i një masakre tjetër në Kosovë.

Masakrimi dhe holokausti që ndodhi në Poklek, në prill të vitit 1999, dallon nga shumë krime dhe masakra të tjera të bëra nga serbët ndaj popullatës shqiptare.

Atyre fëmijëve, grave dhe burrave të Poklekut, 54 gjithsej, vetëm pse ishin shqiptarë, kriminelët serbë nuk u lanë vend as për varr. Barbarët, në tentim të fshehjes së krimit, i dogjën të masakruarit, disa prej tyre të gjallë e disa pas masakrimit. Familjarët dhe popullata përreth u detyruan t’i varrosnin të gjitha eshtrat në një vendvarr.

Pothuajse njëjtë edhe pas 23 vjetëve shënohet dita e përkujtimeve, vetëm se ndryshojnë liderë politikë, qendrorë dhe lokalë. Vijnë bëjnë një minutë nderim, sjellin një kurorë dhe dëgjojnë rrëfimet e familjarëve  dhe të të mbijetuarve. Deklarohen se krimi duhet të dalë në dritë dhe të gjykohet, dhe se liria jonë fillon nga këtu.

23 vjet pas asnjë klasë politike, asnjë institucion i shtetit, as shoqëri civile, as organizatë joqeveritare, nuk e ka një dosje të kompletuar, për ta ngritur një akuzë të vetme kundër kriminelëve serbë mbi holokaustin e Poklekut dhe krimeve të tjera të kryera në Kosovë.

23 vjet pas asnjë i mbijetuar i këtij  tmerri nuk është ftuar në Kuvendin e Kosovës ta tregojë para ligjvënësve atë që ka parë e përjetuar. Nuk di a ka ndonjë rezolutë apo seancë parlamentare që është thirrur dhe mbajt ekskluzivisht mbi masakrat dhe krimet serbe të ndodhura 23 vjet më parë.

23 vjet pas ende në vendin ku ka ndodhur krimi, në shtëpinë ku janë djegur fëmijë, gratë dhe burrat, nuk ka një ciceron i cili do t’u fliste vizitorëve për atë vendkrim. Vizitorëve aty u rrëfen dikush nga familjarët e gjallë, i cili, bashkë me peshën e dhimbjes së familjarëve të djegur, duhet me lot në sy t’u rrëfejë për krimin politikanëve dhe vizitorëve të shumtë.

23 vjet pas ende emrat e Lirije Muçollit, Qëndrim Muçollit, Fatos Muçollit, Egzon Muçollit, Nderim Y. Elshanit, Besart E. Carakut nuk i lexojmë në emra të institucioneve, në shkolla, çerdhe fëmijësh, rrugë.

23 vjet pas ende nuk ka një pllakë përkujtuese, në kryeqendrën e shtetit tonë, as në qytetet tona, me emrat e të gjithë të masakruarve në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.

23 vjet pas asnjë protestë nuk është organizuar nga asnjë organizatë joqeveritare dhe nuk është kërkuar drejtësi për dënimin e krimit dhe kriminelëve.

23 vjet pas asnjë studio televizive nuk ka temë debati krimet, nuk i ka ftuar dhjetë të mbijetuar për t’i dëgjuar rrëfimet e tyre dhe për t’u përcjell ato rrëfime opinionit.

23 vjet pas ende nuk kemi një ditë të shënuar në kalendarin e festave zyrtare të shtetit tonë, si ditë përkujtuese e tmerreve që Serbia i ka bërë popullit tonë. Në kalendarin e festave bëjnë pjesë ditët fetare, evropiane dhe botërore.

Asnjë dëshmi false e Serbisë dhe e bashkëpunëtorëve të saj, mbi krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë dhe luftës së UÇK-së, nuk është më origjinale se dëshmia e holokaustit në Poklek dhe gjithandej Kosovës. A deshëm e s’ditëm, apo pse heshtëm dhe nuk e ngritëm zërin të nxjerrim në dritë para vetes dhe botës mbarë,  gjakun e njomë shqiptar!

Teutë, Fadil, Mehdi, Xhavit dhe Leotrim, faleminderit për qëndresën e dhimbjes suaj, për kurajën që mbani dhe që na ofroni në çdo përvjetor. Jeni shëmbëlltyra dhe pasqyra e lirisë së atdheut!

I përjetshëm kujtimi, përulja dhe nderimi për gjakun tuaj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambientet e restorantit “Rozafa” të vëllezërve Gashi, në qytetin…