Prattipati takohet me kryetarët e komunave në veri të Kosovës
E ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka vizituar të hënën veriun e Kosovës dhe është takuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe përfaqësues të tjerë.
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, vizitoi sot veriun e Kosovës, ku u takua me kryetarë komunash serbë të Kosovës dhe këshilltarë opozitarë për të diskutuar situatën aktuale politike dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet e tyre”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së.
Ambasada e ShBA-së ka treguar se në Zveçan, Prattipati është takuar me kryetarin Miloviq “për të diskutuar zhvillimin lokal dhe mundësitë e bashkëpunimit”.
“Ndërsa në Leposaviq, e ngarkuara me punë u takua me kryetarin Todiq për të diskutuar zhvillimin ekonomik dhe vizitoi kantinën ‘Lakiceviq’ për të dëgjuar nga pronarët e saj mbi rolin që luajnë bizneset në krijimin e vendeve të punës dhe mbështetjen e prosperitetit rajonal”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së në Kosovë.



