Premtohet spektakël në Superkupë

23 nëntor 2022 | 16:28

Nga 7 deri më 11 dhjetor e gjithë vëmendja e basketbollit do të jetë në Prishtinë. Super spektakël është premtuar për Superkupën e Kosovës në basketboll. Sot (e mërkurë) është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Klubit të Sigal Prishtinës për organizimin e Superkupës.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është shprehur se janë të gatshëm për të organizuar edhe një ngjarje madhore në basketbollin e Kosovës. “Është një prej aktiviteteve kryesore që organizon Federata e Basketbollit e Kosovës. Kjo garë prestigjioze kësaj radhe do të organizohet në Prishtinë nga Klubi i Sigal Prishtinës në bashkëpunim me stafin e FBK-së, ku besoj se organizimi do të jetë shumë i mirë. Shpresoj, por edhe besoj se do të kemi spektakël sportiv dhe të basketbollit në Prishtinë dhe ajo që e veçon këtë aktivitet është se lejohen edhe shikuesit mysafirë. Pra, palestra në Prishtinë do të jetë e mbushur me tifozë nga e gjithë Kosova dhe normalisht se jemi të lumtur. Synimi është të krijohet një kulturë, kulturë e sportit dhe për të gjithë komunitetin”, ka thënë Fetahu.

Kryetari i KB Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci, ka premtuar spektakël për Superkupë, ndërsa bardhekaltrit veçohen për organizime. “Fillimisht jam shumë i lumtur që basketbolli po ka shikueshmëri në të gjitha palestrat në Kosovë dhe po ka një super-organizim në të gjitha vendet. Kjo është meritë e klubeve dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe të gjithë të punësuarve në FBK. Është krijuar një kulturë, një kulturë që po i tejkalon kufijtë e sportit dhe normalisht për këtë jemi shumë të lumtur. Interesimi është rritur për basketboll dhe kjo dëshmon për punën e mirë që po bëhet në Federatë dhe në klube. Sa i përket organizimit, besoj se do të jetë diçka me të cilin do të krenohet e gjithë Kosova. Do të jetë argëtim, spektakël dhe festë, por edhe spektakël i paparë deri më tani”, ka deklaruar Stavileci.

Në këtë garë do të marrin pjesë të gjitha klubet e elitës dhe priten sfida interesante.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka shpallur aktgjykim lirues…