Presidenca dhe Qeveria, të pakoordinuara për dialogun me Serbinë

20 shtator 2020 | 12:44

Presidenca dhe Qeveria nuk kanë koordinim për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë i cili po zhvillohet në Bruksel. Këto dy institucione së fundi kanë shfaqur hapur mospajtimet që kanë për këtë proces.

Madje zyrtarët e këtyre institucioneve kanë konfirmuar mungesën e bashkëpunimit të Presidencës dhe Qeverisë për këtë proces. Përmes një deklarate për media, Presidenca e Kosovës ka shprehur shqetësimin se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe në dialogun e Brukselit është gabim shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

Një gjë e tillë, sipas presidencës, është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit. “Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudo qoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, është thënë në deklaratën për medie të Presidencës, shkruan “Epoka e re”.

Aty është vlerësuar se diskutimi për asociacion është fillim i instalimit të Republikës serbe në Kosovë. “Diskutimi për asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës serbe brenda Republikës së Kosovës, ndërsa diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi, duke e ftuar urgjentisht Kuvendin e Kosovës ta votojë një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme. “Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, është thënë në deklaratë.

Mirëpo kryeministri i Kosovës i ka mohuar pretendimet e Presidencës.

Gjatë raportimit në Kuvend para deputetëve, një ditë më parë, shefi i qeverisë ka treguar se në takimin e 7 shtatorit me presidentin serb në Bruksel është hapur tema e obligimeve financiare dhe tema e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, qëndrimi i Kosovës është se nuk do të diskutohet për asociacionin në Bruksel. “Ndërkaq lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi ynë është se kjo temë nuk hapet në dialog, pasi ka një marrëveshje të arritur për këtë më 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Ai ka bërë me dije se për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel vlen parimi se “asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha”. “Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë, përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke. Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke. Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura në mes të vendeve. Por, do të ofrojë zgjidhje sistematike, bazuar në konventat ndërkombëtare. Marrëveshja nuk do të ofrojë zgjidhje të përkohshme apo afatgjatë, por zgjidhje të përhershme. Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje”, ka deklaruar Hoti.

Moskoordinimin e këtyre dy institucioneve e ka konfirmuar edhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj. Sipas tij, nuk ka bashkëpunim mes kryeministrit dhe presidentit, e as bashkëpunim qeveri-opozitë lidhur me dialogun apo marrëveshjen e re. “Në fakt, kryeministri dhe klubi i valltarëve të tij janë kah e bëjnë situatën shumë shqetësuese. Nuk ka unitet brenda qeverisë. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes kryeministrit dhe presidentit. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi në mes të qeverisë dhe opozitës”, ka shkruar Behramaj në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ia ka kujtuar qeverisë se nuk i ka në përbërje as 40 deputetë shqiptarë. “Mungesa e kohezionit të brendshëm, ku 40 vota shqiptare nuk dihet nëse i ka kjo qeveri dhe fati i çdo vendimi të saj varet ekskluzivisht nga Lista Serbe. Për çdokënd që i kupton pak këto procese do të duhej të ishte shumë shqetësuese. Po ashtu, mungesa absolute e përkrahjes opozitare, sipas së cilës, kryeministri me 25 mijë vota dhe qeveria e tij nuk kanë fare legjitimitet të na përfaqësojnë, se lëre më edhe të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme për fatin e Kosovës, sërish do të duhej të ishte shqetësuese”, ka shkruar ai.

Kuvendi nuk miraton rezolutën për dialogun

As në këtë legjislaturë nuk është arritur të nderohet një konsensus nacional për dialogun me Serbinë. Pozita dhe opozita qëndrimet e ndryshme për këtë proces i kanë konfirmuar në seancën e së enjtes në Kuvend, ku ka raportuar kryeministri për marrëveshjen e Uashingtonit dhe takimin e 7 shtatorit në Bruksel.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për lëshimet e bëra në marrëveshjen me Serbinë të arritur në Uashington. Deputetët e LV-së kanë vlerësuar se me këtë marrëveshje ka fituar Serbia dhe jo Kosova. “Kosova nuk del me fitore nga nënshkrimi juaj, zotëri Hoti. Nga ai nënshkrim më së shumti kanë përfituar të tjerët. Në këtë rast, përfituesja më e madhe del Serbia sepse përfitoi dalje në Adriatik, bashkëpronësi në Ujman, zhbërje të kufirit shtetëror, pra nga kufij shtetërorë në pikë të kalimit të përbashkët, realizimin e idesë për mini-Shengen që, në fakt, është zonë e Novi Sadit”, ka deklaruar Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar i LV-së.
Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk ka negociuar fare për marrëveshjen në Uashington. Hoxhaj ka thënë se ajo që është arritur në Shtëpinë e Bardhë është meritë e amerikanëve dhe jo e delegacionit të Kosovës. Në fund të debatit, LV-ja ka propozuar një rezolutë për procesin e dialogut, në të cilën thuhet se kryeministri Hoti nuk është autorizuar nga Kuvendi për bisedimet me Serbinë në Bruksel, por e cila as të premten nuk është votuar në Kuvend në mungesë të kurimit.

Asociacioni me kompetenca ekzekutive dëmton funksionalitetin e shtetit

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, ka bërë me dije se njohja e ndërsjellë është një imperativ kategorik për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se diplomacia e Kosovës ka dështuar që t’ia paraqesë botës të drejtat dhe privilegjet që ia ka dhënë pakicës serbe. “Vuçiqi operon me një sintagmë tregtari në lidhje me raportet Kosovë – Serbi: ‘Kosova nuk mund t’i fitojë të gjitha dhe Serbia të mos fitojë asgjë’. Diplomacia jonë nuk ka qenë në gjendje t’i transmetojë në publikun ndërkombëtar fitoret e madhe që kanë realizuar serbët e Kosovës: garantimin e dhjetë vendeve në parlament, garantimin e përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, krijimin artificialisht të komunave me shumicë etnike serbe, gjuhën serbe si gjuhë zyrtare dhe të drejta të nivelit të lartë për pakicën serbe. Kosova duhet t’i shfrytëzojë më mirë këto elemente”, ka thënë Kiçmari. Sipas tij, një asociacion me kompetenca ekzekutive do ta dëmtonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës. “Njohja e ndërsjellë është një imperativ kategorik për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Por, një asociacion me kompetenca ekzekutive do ta dëmtonte funksionalitetin e Republikës. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë mendimin e vet në lidhje me këtë. Delegacioni i Kosovës nuk do të duhej të hyjë në negociata antikushtetuese”, është shprehur ai.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besarti për ata që e njohën ishte gjithmonë djal punëtor,…