Presidenti Ademi uron gazetarët sportivë: Së shpejti do ta jetojmë së bashku ëndrrën e Botërorit apo Evropianit

02 korrik 2026 | 13:25

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar gazetarët sportivë me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, duke i falënderuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre në pasqyrimin e futbollit dhe sportit në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Ademi ka theksuar rëndësinë e gazetarisë sportive, duke vlerësuar se ajo nuk është vetëm raportim i rezultateve apo i ngjarjeve, por edhe dokumentim i historisë dhe ndërtim i kujtesës kolektive të sportit.

“Të nderuar gazetarë sportivë, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, kam kënaqësinë që, në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, t’ju përcjell urimet më të përzemërta dhe t’ju falënderoj për përkushtimin, profesionalizmin dhe punën tuaj të vazhdueshme në pasqyrimin e futbollit dhe sportit në vendin tonë. Gazetaria sportive nuk është vetëm raportim i rezultateve apo i ngjarjeve. Ajo është dokumentim i historisë, përcjellje e emocioneve dhe ndërtim i kujtesës kolektive të çdo suksesi, sfide e momenti që e shënon futbollin tonë”, ka thënë Ademi.

Presidenti i FFK-së ka kujtuar emocionet që kanë shoqëruar futbollin kosovar në vitet e fundit, duke theksuar se gazetarët kanë qenë gjithmonë pranë ekipeve dhe tifozëve. “Në vitet e fundit, së bashku kemi përjetuar shumë emocione. Kemi festuar fitore të rëndësishme, kemi përballuar zhgënjime, por mbi të gjitha kemi parë rritjen e vazhdueshme të futbollit të Kosovës. Ju keni qenë gjithmonë aty për t’i përcjellë këto momente me profesionalizëm, duke i sjellë pranë tifozëve dhe opinionit publik”, ka thënë ai.

Ademi ka rikujtuar edhe rrugëtimin e Kosovës drejt Kupës së Botës 2026, duke theksuar se përfaqësuesja ishte shumë pranë një arritjeje historike. “Sivjet ishim shumë afër realizimit të një ëndrre të madhe. Ishim vetëm 90 minuta larg pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026. Kjo do të ishte një arritje historike dhe një krenari për popullin tonë, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme për ju, gazetarët sportivë, që ta përcillnit nga afër rrugëtimin historik të Kosovës në skenën më të madhe të futbollit botëror. Ndonëse kjo ëndërr mbeti për pak pa u realizuar, jam i bindur se dita kur Kosova do të jetë pjesë e një Botërori apo Evropiani nuk është e largët”, është shprehur Ademi.

Në vazhdim, ai ka nënvizuar rëndësinë e mediave të lira dhe kritikës konstruktive, duke theksuar se ajo ndihmon në avancimin e futbollit. “Shoqëria jonë ka nevojë për media të lira, profesionale dhe të përgjegjshme. Kritika e argumentuar dhe konstruktive është gjithmonë e mirëpritur, sepse na ndihmon të përmirësohemi dhe të ecim përpara. Por, po aq e rëndësishme është që puna, përkushtimi dhe sukseset të marrin vlerësimin që meritojnë”, ka thënë Ademi.

Në fund të mesazhit, Ademi ka riafirmuar gatishmërinë e FFK-së për të vazhduar bashkëpunimin me mediet. “Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të jetë partnere e mediave, duke kultivuar bashkëpunim, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, me bindjen se vetëm së bashku mund të vazhdojmë ta zhvillojmë dhe ta promovojmë futbollin tonë. Ju falënderoj për angazhimin dhe pasionin që tregoni çdo ditë. Ju uroj shëndet, suksese në karrierë dhe sa më shumë momente të mëdha sportive!”, ka thënë Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollistët që aktivizohen në Premierligën angleze vazhdojnë të dominojnë skenën…