Presidenti i Gjermanisë: Koronavirusi mund të vazhdojë disa javë

28 mars 2020 | 11:18

Pas kancelares Angel Merkel, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, sërish u është drejtuar gjermanëve të tronditur prej krizës korona.

Presidenti Steinmeier i përgatiti moralisht qytetarët edhe për disa javë të vështira për shkak të krizës korona. Ai kërkoi të mbajnë distancë jo 60 minuta, por “me gjasë disa javë”, thotë Steinmeier në mesazhin e dytë të tij me video brenda dhjetë ditëve drejtuar qytetarëve.

Takimet e zakonshme dhe vizitat ndërkohë nuk janë të mundshme. “Të heqësh dorë prej kësaj është e vështirë për secilin, edhe për mua, megjithatë vetëm heqja dorë prej kontaktit mund të parandalojë humbjen përgjithmonë të më të dashurve tanë”, tërhoqi vëmendjen Steinmeier. “Shumica dërrmuese në vendin tonë e ka kuptuar dhe po vepron si duhet. Për këtë ju falënderoj”, shtoi ai.

“Gardhet e donacioneve” për të pastrehët

Solidariteti ndërkohë është “me rëndësi ekzistenciale”, theksoi presidenti. Shumë njerëz kontribuojnë vullnetarisht duke ua bërë pazarin fqinjëve të moshuar ose duke u vendosur trasta me ushqime ndër gardhe të pastrehëve. “Të gjithë këta janë heroina dhe heronj në krizën korona”, lavdëroi Steinmeier. Me disa prej tyre, tha ai, ka biseduar në telefon gjatë ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të presidencës, Steinmeieri zhvillon “shumë” telefonata me kujdestarë, mjekë, punonjës socialë dhe punonjës të supermarketeve. Në bisedat me ta presidenti informohet për përvojat aktuale në jetën e përditshme, për sfidat e problemet e tyre. Përveç kësaj, ai i falënderon njerëzit për këtë angazhim.

“Virusi nuk ka nënshtetësi”

Në fjalimin e tij me video Steinmeier theksoi se është i rëndësishëm në këtë kohë solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. “Virusi nuk ka nënshtetësi dhe vuajtja nuk ndalet prej kufijve. Por ne duhet ta minimizojmë atë sa të jetë e mundur”, tha ai. Steinmeier iu referua ndër të tjera bashkëpunimit ndërkufitar në kërkim të një vaksine dhe terapive kundër virusit korona. “Le të koordinojmë në mbarë botën të gjithë dijen dhe përvojat, të gjithë kreativitetin dhe energjinë! Ky është apeli im”, tha ai.

Video-mesazhi i Steinmeierit u publikua në faqen e internetit të presidencës si dhe në platformat ‘Instagram’ dhe ‘Facebook’. Para dhjetë ditësh kreu i shtetit u shpreh në këtë formë lidhur me krizën korona. Sipas presidencës, janë planifikuar të publikohen rregullisht qëndrime dhe mesazhe me video të presidentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë sipërmarrje dhe të vetëpunësuar po humbasin porositë dhe xhirot…