Presidenti i Malit të Zi: Jam me ulqinakët, marrëveshja me Emiratet është kundër Kushtetutës

16 prill 2025 | 15:13

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka deklaruar se marrëveshje për bashkëpunim në turizëm me Emiratet e Bashkuara është e paligjshme, duke shtuar se ajo është në kundërshtim me ligjet e vendit.

Siç ka raportuar të mërkurën “Vijesti”, Milatoviq ka thënë se është me qytetarët e Ulqinit sidomos sot “kur flitet për temën e marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara arabe”.

“Në Ulqin s’ka njeri që është kundër investimeve dhe këtë e kam dëgjuar sot nga të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët vijnë nga të gjitha partitë politike. Megjithatë, çdo investim që vjen në Ulqin apo në Mal të Zi duhet të bazohet në dy gjëra kyçe: ligjet e shtetit të Malit të Zi dhe nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar Milatoviq.

Ai është shprehur se kjo marrëveshje për zhvillimin e pasurive të paluajtshme bie ndesh me parimet e Kushtetutës së Malit të Zi, teksa shtoi se ky është investim kundër nevojave të komunitetit lokal “i cili në Kuvendin e Komunës së Ulqinit u tha qartë se është kundër një investimi të tillë të paralajmëruar”.

Milatoviq ka kërkuar që të pritet opinioni i Komisionit Evropian mbi këtë çështje, pasi ditë më parë kreu i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i shkroi letër kryetares, Ursula von der Leyen, ku i kërkoi me urgjencë ta trajtojë çështjen e marrëveshjes.

Kryeministri Milojko Spajiq ia ka dorëzuar propozimin kryeparlamentarit, Adrija Mandiq, për plotësim të rendit të ditës së seancës së Kuvendit, duke kërkuar që të diskutohet kjo çështje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista Serbe ka thënë se është “gënjeshtër e pastër” pretendimi…