Lista Serbe i reagon Gërvallës: Gënjeshtër pretendimi se do ta mbështesnim Kurtin, e përhapin për lojëra të brendshme

16 prill 2025 | 15:10

Lista Serbe ka thënë se është “gënjeshtër e pastër” pretendimi se disa deputetë të kësaj partie do të votonin për një qeveri të mundshme të Kosovës, që do ta propozonte Lëvizja Vetëvendosje, siç ka paralajmëruar mbrëmë kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla Schwarz.

Sipas Listës Serbe, këto “gënjeshtra”, po i përhap LV-ja, pasi ato, siç është thënë në reagim “duket se u shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme”.

“Duke pasur parasysh deklaratat që vijnë nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kurtit, dëshirojmë të theksojmë publikisht se mbështetja e paralajmëruar e pretenduar nga deputetët e Listës Serbe është një gënjeshtër e pastër. Ndoshta kjo është dëshira e tyre, një insinuatë apo diçka e tretë, por ne e përsërisim qartë dhe publikisht se kjo është e pavërtetë”.

“Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që ata përhapin duket se u shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë edhe publikisht”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Lista Serbe ka thënë se “nuk do t’i tradhtojë kurrë” votuesit e saj.

“Me krenari dhe përgjegjësi e respektojmë secilën nga 40 000 votat që na i kanë dhënë bashkatdhetarët tanë në zgjedhjet e fundit, në mënyrë që të luftojmë për interesat e popullit serb brenda parlamentit në Prishtinë”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja e liderëve të UÇK-së ka bërë me dije se…