“Presidenti mund të zvarritet, Kuvendi e Qeveria jo”
Procesi i formimit të institucioneve të reja në Kosovë pritet të nisë gjatë muajit korrik,menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Ekspertët e çështjeve kushtetuese vlerësojnë se këtë herë ka më shumë gjasa që Kuvendi dhe Qeveria të konstituohen pa vonesa. Megjithatë, sipas tyre, zgjedhja e presidentit mund të përballet me zvarritje për shkak të mungesës së konsensusit politik. Njohësit paralajmërojnë se çdo bllokadë institucionale do ta thellonte pasigurinë politike në vend.
Në javën e parë të korrikut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, çka do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. Me t’u certifikuar rezultatet, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu mund ta thërras seancën konstituive, e në të njëjtën ditë, të konstituohet edhe Kuvendi edhe Qeveria.
Njohës të fushës shprehen optimist se kësaj radhe nuk do të ketë bllokim të institucioneve.
“Çështja e përsëritjes së krizës së kaluar të konstituimit të Kuvendit nuk do të duhej që të ndodhë për arsye që tashmë të gjitha rrugët apo bllokimet kushtetuese të cilat kanë ndodhur më herët janë të qarta dhe se nuk ka mundësi për bllokime. Tashmë i kemi afatet e qarta brenda të cilave duhet që të konstituohet Kuvendi, e kemi të qartë faktin që kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar të Kuvendit. Pra, vetëm nëse subjektet politike kanë vullnet më të madh që ta bllokojnë Kuvendin e Republikës sesa ta zhbllokojnë atë”, tha për RTK-në Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Sipas analistit Adrian Zeqiri, duke marrë parasysh qëndrimet e subjekteve politike, Kuvendi e Qeveria do të zgjidhen me kohë, por që zgjedhja e presidentit mund të zvarritet.
“Këto pozicione na çuan në zgjedhje herën e kaluar dhe, në bazë të asaj që po shohim, nuk ka ndryshim nga asnjëra palë për sa i përket këtyre pozicioneve. Edhe unë mendoj se do të ketë themelim të Kuvendit, do të ketë themelim të Qeverisë së re, dhe situata do të zvarritet ose nëpërmjet procedurave, ose nëpërmjet përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese”, tha Adrian Zeqiri, njohës i politikës.
Bllokimi i institucioneve, sipas njohësve, e dërgon vendin drejt krizave të reja. “Skenari i zgjedhjeve të reja nga subjektet politike nuk duhet as që të jetë opsion për arsye të këtyre dëmeve të cilat i kemi pasur dhe krizave të cilat jemi duke u përballur me to. Vendi ynë ka pasur më shumë se pesë palë zgjedhje së fundmi, dhe këto zgjedhje janë jashtëzakonisht shumë sfiduese për demokracinë”, shtoi Kolshi.
“E kemi parë në zgjedhjet e fundit që ka qenë një pjesëmarrje jashtëzakonisht e ulët e qytetarëve rezidentë. Do të thotë, mos të flasim për të gjitha dëmet që i shkaktohen Kosovës edhe në nivelin e ekonomisë së brendshme”, nënvizoi në anën tjetër Zeqiri.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se posa të certifikohen rezultatet, do të nisin diskutimet për themelimin e institucioneve./RTK



