Miti serb rreth Betejës së Kosovës (1389) dhe instrumentalizimi i tij në raport me çështjen shqiptare

28 qershor 2026 | 21:19

Shkruan: Ethem Çeku

Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë mesjetare të Ballkanit. Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo pushoi së qeni vetëm një ngjarje historike dhe u shndërrua në themelin e një miti politik, i cili ndikoi thellësisht në formësimin e identitetit kombëtar serb dhe në ndërtimin e pretendimeve territoriale të shtetit serb ndaj Kosovës. Në këtë proces, një ngjarje e Mesjetës u reinterpretua dhe u instrumentalizua për të krijuar idenë e një vazhdimësie historike ndërmjet shtetit mesjetar serb dhe objektivave politike të Serbisë moderne.

Ndërtimi i këtij miti mori formë sidomos gjatë shekullit XIX, në kushtet e romantizmit evropian dhe të Rilindjes Kombëtare Serbe. Përmes sistemimit të traditës gojore dhe të ashtuquajturit “Cikli i Kosovës”, figura e princit Lazar u shndërrua në simbol të sakrificës kombëtare, ndërsa Beteja e Kosovës u interpretua si një akt heroik për mbrojtjen e krishterimit dhe të shtetit serb. Këto rrëfime kanë rëndësi për studimin e kujtesës kolektive dhe të kulturës politike serbe, por ato nuk mund të identifikohen me faktin historik, pasi përfaqësojnë një ndërtim ideologjik të periudhave të mëvonshme dhe jo një pasqyrim të drejtpërdrejtë të burimeve bashkëkohore të vitit 1389.

Një pjesë e rëndësishme e historiografisë bashkëkohore ndërkombëtare ka vënë në pikëpyetje interpretimin tradicional serb të Betejës së Kosovës dhe përdorimin e saj si bazë për pretendime historike e territoriale. Studiues si Noel Malcolm, John V. A. Fine Jr., Thomas A. Emmert, Maria Todorova dhe Ivo Banac kanë argumentuar se shumë nga elementet që përbëjnë të ashtuquajturin “Mit i Kosovës” janë rezultat i një procesi të mëvonshëm të ndërtimit të identitetit kombëtar serb dhe jo i dëshmive të drejtpërdrejta të burimeve të vitit 1389. Burimet bashkëkohore osmane, raguzane, bizantine dhe perëndimore dëshmojnë se beteja nuk ishte një konflikt ekskluzivisht serbo-osman, por një përballje në të cilën morën pjesë formacione të ndryshme politike dhe ushtarake të Ballkanit, përfshirë edhe fisnikë shqiptarë, boshnjakë e vllehë. Për rrjedhojë, interpretimi i saj si simbol ekskluziv i historisë kombëtare serbe nuk mbështetet plotësisht në dëshmitë historike të kohës.

Ky interpretim historiografik u ndërthur ngushtë me projektet politike të shtetit serb gjatë shekullit XIX. Dokumenti programatik Naçertania (1844), i hartuar nga Ilija Garašanini, e konceptonte zgjerimin territorial të Serbisë drejt jugut si një objektiv strategjik shtetëror. Në këtë kuadër, miti i Betejës së Kosovës u shndërrua në një nga shtyllat ideologjike për legjitimimin e pretendimeve ndaj Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në historiografinë zyrtare, në diskursin politik dhe në programet shtetërore serbe gjatë shekujve XIX dhe XX. Historia, në këtë rast, nuk shërbeu vetëm për interpretimin e së kaluarës, por edhe për justifikimin e objektivave politike dhe gjeostrategjike të shtetit serb.

Në të njëjtën linjë u zhvillua edhe historiografia nacionaliste serbe, e cila e paraqiti Kosovën si “djepin e shtetit mesjetar serb”, duke minimizuar ose mohuar praninë historike të shqiptarëve. Për këtë arsye u vunë në dyshim prejardhja ilire e shqiptarëve, vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare dhe autoktonia e tyre në Kosovë. Një pjesë e autorëve serbë mbështetën tezën se shqiptarët u vendosën në Kosovë vetëm pas pushtimit osman, kryesisht gjatë shekujve XV–XVII, një tezë e cila nuk ka mbështetje shkencore dhe bie në kundërshtim me korpusin e burimeve historike, arkeologjike, gjuhësore dhe dokumentare që dëshmojnë praninë e hershme dhe vazhdimësinë e shqiptarëve në Kosovë. Këto interpretime u bënë pjesë e një narrative historiografike që synonte ta paraqiste Kosovën si një hapësirë historikisht dhe politikisht ekskluzive serbe, duke anashkaluar zhvillimet reale historike dhe përbërjen shumëetnike të rajonit.

Instrumentalizimi i mitit të Kosovës nuk mbeti vetëm në rrafshin historiografik. Pas Kongresit të Berlinit (1878), gjatë Luftërave Ballkanike (1912–1913), në periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe më pas të Jugosllavisë, ai u përdor për të legjitimuar pushtimin e territoreve shqiptare, kolonizimin e Kosovës, reformën agrare, shpronësimet dhe politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve. Kulmin e tij politik miti e arriti me fjalimin e Slobodan Miloševićit në Gazimestan më 28 qershor 1989, kur simbolika e vitit 1389 u përdor për mobilizimin e nacionalizmit serb dhe për justifikimin e politikave të regjimit ndaj Kosovës.

Prandaj, Beteja e Kosovës duhet të trajtohet si një ngjarje historike e rëndësishme e Mesjetës, por jo si bazë për pretendime politike dhe territoriale të epokës moderne. Dallimi ndërmjet faktit historik dhe mitit politik mbetet thelbësor për një interpretim objektiv të historisë së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Në këtë kontekst, institucionet shkencore, akademike dhe kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të intensifikojnë bashkëpunimin për studimin, dokumentimin dhe promovimin e historisë shqiptare, duke mbështetur kërkimet e bazuara në burime arkivore, metodologji bashkëkohore dhe standarde ndërkombëtare të historiografisë. Vetëm përmes një pune të tillë mund të kontribuohet në ndriçimin e së vërtetës historike dhe në kundërshtimin shkencor të interpretimeve ideologjike që kanë shoqëruar çështjen shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një investigim i gazetës izraelite Haaretz pretendon se kompani kryesore…