Presidenti sot takim me ambasadorë të QUINT-it, me partitë politike nesër

30 mars 2020 | 10:59

Presidenti Hashim Thaci ka shtyrë paksa takimet konsultative me partitë politike që i pati paralajmëruar për sot. Ato pritet të mbahen gjatë ditës së nesërme njoftoi Zyra e Presidentit, shkaku që Kuvendi i Kosovës është vonuar që zyrtarisht ta njoftojë presidentin për votimin e mocionit të mosbesimit.

“Njoftimi nga Kuvendi ka ardhur të premten në fund të orarit të punës dhe për këtë ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive parlamentare. Ata do të ftohen nga presidenti në ditët e ardhshme për konsultime”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Por, i pari i vendit ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Ata janë parë duke u futur në pjesën e Presidencës që ndodhet në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Ky takim me ambasadorët nuk është paralajmëruar fare, ndërkaq takimet me disa prej partive tanimë janë të konfirmuara. LDK, AAK e Nisma janë deklaruar se do të shkojnë në konsultime te presidenti Thaçi, ndërkohë që PDK nuk ka dhënë përgjigje pa marrë ftesë zyrtare. Lëvizja Vetëvendosje edhe publikisht e ka refuzuar një takim të tillë.

Për këtë të fundit, nisja e takimeve për një qeveri të re është jokushtetuese pasi, siç thonë ata, votimi i mocionit të mosbesimit nënkupton që vendi të shkojë në zgjedhje. Kreu i kësaj partie, tani kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i bëri thirrje presidentit që të mendojë për datën e zgjedhjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se brenda 3-4 ditëve…