Presidenti Thaçi: Drejtësia, mundësia e vetme për të ardhme më të mirë

13 dhjetor 2018 | 11:32

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, sot ka shpallur dekretin për tetë ligje të sektorit të drejtësisë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Presidenti Thaçi ka dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë, përkatësisht Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore.

Thaçi e ka vlerësuar lart punën e bërë në reformimin e sektorit të sundimit të ligjit.

“Efikasiteti i sundimit të ligjit është jetik në funksionimin e demokracisë. Arsimimi, shëndetësia e politikat e punësimit nuk mund të avancohen pa qasje të shpejtë në drejtësi. Për të rinjtë, drejtësia është mundësia e vetme për të ardhme më të mirë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese të këtij sektori, që të jetësojnë ndryshimin, duke zbatuar ligjet dhe duke mbrojtur interesin publik të qytetarëve.

“Lufta e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit nuk është vetëm plotësim i standardeve të kërkuara nga BE-ja, por është domosdoshmëri”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se ky është obligim ndaj qytetarëve për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe ndaj shtetit tonë për t’i kontribuar ndërtimit të një shteti të fortë të së drejtës.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nexhat Rexha Faktori kohë në rrjedhat shoqërore bashkë me njeriun…