Presidenti Thaçi emëron gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese

09 gusht 2018 | 12:31

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës, nenit 7 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka emëruar gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ceremonia e betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot, ku e pranishme ka qenë edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi, sot kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi.

Paraprakisht këta kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i posaçëm për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese për herë të parë në historikun e saj tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka pritur në…