Presidenti Trump publikon planin për paqen izraelito-palestineze

28 janar 2020 | 19:22

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme.

Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Presidenti amerikan ka shtuar se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.

Ai tha se marrëveshja do të “dyfishonte” territorin nën kontrollin e palestinezëve.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Presidenti Trump gjatë një paraqitjeje së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se plani “mund të jetë mundësia e fundit” për palestinezët.

Netanyahu tha se është një plan i mrekullueshëm për Izraelin dhe për paqen.

Ai shprehu gatishmërinë të negociojë me palestinezët bazuar në këtë plan.

Pikat kryesore të planit?

Agjencia Reuters ka publikuar disa pjesë kyçe të cilat i adreson plani i presidentit Trump:

* Statusi i Jerusalemit, duke përfshirë vendet historike të shenjta.

* Vendosja e kufijve me pajtim të dyanshëm.

* Arritja e marrëveshjeve të sigurisë që do të hiqte frikën e Izraelit nga sulmet e palestinezëve dhe fqinjëve armiqësorë.

* Kërkesa palestineze për shtetësi në territorin e Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor – të okupuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967. ( Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largojë vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Më shumë se 400,000 izraelitë tani jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, me 200,000 banorë të tjerë në Jerusalemin Lindor).

* Gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë të miliona refugjatëve palestinezë.

* Marrëveshjet për të ndarë burimet natyrore, siç është uji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Izmi Zeka për 20-vjetorin e “Epokës së re” “Epoka…