
Presidentja: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka theksuar se 2 Korriku i vitit 1990 është dita kur u hodhën themelet e Republikës.
“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë”.
“Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka pohuar se kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.
“Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, ka deklaruar Osmani.