Presidentja Osmani: Drejtësi për Rezallën!

05 prill 2021 | 11:49

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Rrezallës.

Ajo ka thënë se në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.

“44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës. Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb”.

“22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë! Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit! Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seriali i famshëm “Friends” do të vijë në ekran në…