Presidentja Osmani: Kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, që ta ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës

15 dhjetor 2023 | 11:44

Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon.

Ajo ka bërë të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.
“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.
“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, tha Presidentja Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se rruga e Kosovës është…