Presidentja Osmani: Kemi shpartalluar propagandën e Serbisë, me njohje të reja
Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar si një arritje shumë të madhe gjatë mandatit të saj rikonfirmimin e njohjeve nga shtetet të cilat Serbia pretendonte se e kanë çnjohur Kosovën.
“Kemi arritur që të rikthejmë rreth 20 çnjohje të pretenduara”- ka thënë Presidentja e vendit duke shtuar se e Drejta Ndërkombëtare megjithatë nuk flet për konceptin e çnjohjeve, por se deklarimet për tërheqjen e njohjeve i shkaktojnë dëm vendit.
Në një intervistë me Shkëlzen Gashin në emisionin Nerv, e para e vendit tha se është dashur punë e madhe nga institucioni i Presidencës, për të rikonfirmuar njohjet e këtyre 20 vendeve.
“Nëse një shtet thotë se ne ju çnjohim, neve na dëmton shumë. Edhe në imazh edhe në parandalimin e njohjeve të reja por edhe në anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare.”- shtoi Presidentja Osmani.
Për pesë vjet mandat, ajo tha se janë marrë me të gjitha pretendimet për çnjohje të shtetësisë së Kosovës.
“I kemi rikonfirmuar dhe betonuar të gjitha”- ka thënë Osmani duke shtuar se shumë liderë janë ftuar në Kosovë dhe janë nënshkruar marrëdhënie diplomatike.
Presidentja ka thënë se Kosovës i është shkaktuar dëm nga pretendimet për çnjohje, por që me punë u pamundësua mbetja në stadin e mohimit të njohjes nga këto 20 shtete.
“Përveç me njërin – akoma nuk kemi përgjigje prej atij shteti”- tha Osmani duke mos e përmendur se cili shtet është ai.
Duke folur për katër njohjet që Kosova i ka marrë gjatë vitit 2025, ajo ka paralajmëruar edhe njohje të reja gjatë këtij viti.
Në gjysmë dekadën e fundit, Kosova ishte ballafaquar me fushatën e Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës.
Ato që e kishin tërhequr njohjen ishin kryesisht vende të Afrikës, si Burundi, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana, Sierra Leone e të tjera, ani pse institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.
Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare – moratorium që ka skaduar në vitin 2021.
Pas një pauze katërvjeçare, shtetit më të ri në Europë iu hap sërish dera e njohjeve të reja nga vendet e tjera. Brenda vitit 2025, Kosova arriti të marrë katër njohje të cilat ia përforcojnë subjektivitetin në arenën ndërkombëtare.
Kenia, Sudani, Siria dhe Bahames u shtuan në listën e njohjeve të Kosovës, duke u bërë kështu plot 121 shtete që e njohin aktin e vulosur në Prishtinë më 17 shkurtit 2008. Këto janë njohjet e reja që erdhën pas Izraelit në shkurt 2021. Para kësaj, shteti i fundit që e njohu Kosovën, ishte Barbadosi në vitin 2018.
Të shpërndara në pjesë të ndryshme të botës këto shtete kanë rëndësi për Kosovën. Sudani gjendet në Afrikën Veriore, kurse Kenia në Afrikën Lindore. Siria gjendet në Lindjen e Mesme, kurse Bahamas brenda kontinentit të Amerikës së Veriut, i vendosur në Oqeanin Atlantik.
Në vitet e fundit, diplomacia kosovare ishte kritikuar për mungesë të njohjeve. Mirëpo, me këto të vitit që shkoi, vlerësohet se është nisur rruga për mbarë. Rrjedhimisht, mungesa e njohjeve e pengon Kosovën që të lëvizë përpara.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia dhe as Bosnje e Hercegovina. Ndërsa nga vendet e Bashkimit Europian janë pesëshja e shumëpërfolur: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.
Presidentja Vjosa Osmani e cila ishte ajo që e dha lajmin e para për tri nga këto njohje, përjashtuar Kenian, këtë vit gjatë takimit me Papa Leoni XIV, ka kërkuar edhe nga Vatikani që ta njoh Kosovën.
Edhe pse Spanja ua hoqi vizat qytetarëve kosovarë, Kosova ende nuk arriti të fitojë njohje prej saj. Në anën tjetër, marrëdhëniet me Greqinë u përafruan disi nëpër disa takime zyrtare mes prijësve shtetërorë, por jo me ndonjë vulë mbi letër që mund të çonte deri te njohja. Sa për Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë, nuk u përmend ndonjë përafrim, pos që qëndrojnë si emra shtetesh në pesëshen e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
Po në këtë vit, Peter Pellegrini, president i Sllovakisë, ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij për të mos e njohur Kosovën. Këtë qëndrim ai e ka quajtur “të pandryshueshëm”. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi plotësisht, duke thënë se për një gjë të tillë “duhet një dialog intensiv”.
Ndërmjet viteve 2008 dhe 2014, Kosova siguronte mesatarisht rreth 12 njohje në vit.
Vrulli i madh i njohjeve ka qenë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.
Me kalimin e viteve ra edhe numri i tyre, edhe pse dy vite pas mëvetësisë, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se “pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”.
SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Afganistani janë disa nga shtetet e para që kishin njohur Kosovën në momentet e para pas shpalljes së pavarësisë.
Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që i binte të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një.



