Presidentja Osmani ngushëllon familjet e tre bashkatdhetarëve që humbën jetën në vendin e punës në Austri

18 mars 2026 | 11:32

Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri.

Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).

Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.

Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar duke ngushëlluar familjet e tre bashkatdhetarëve dhe duke theksuar se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë bashkatdhetarët.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brikena Selmani u surprizua nga babai i saj, i cili…