Presim që gjykata ta hedhë poshtë vendimin për kompensimin e orëve

27 mars 2019 | 12:30

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur optimizëm se Gjykata Themelore në Prishtinë do ta hedhë poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MAShT) për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës trejavëshe.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është joligjor vendimi për kompensimin e orëve të humbura.

“Po, e kemi dërguar padinë ndaj vendimit të MAShT-it lidhur me kompensimin e orëve, sepse vendimi i tillë nuk ka bazë ligjore. SBAShK-u është i sigurt se gjykata do të sjellë vendim meritor dhe do ta hedhë poshtë vendimin e ministrit Bytyqi si të pabazuar në ligj. Pra, presim që vendimi i gjykatës të jetë në favorin tonë”, është shprehur Jasharaj.

Ai ka bërë me dije se derisa të merret ky vendim orët e humbura nuk do të kompensohen as të shtunave, as në pushimin pranveror dhe as në fund të vitit shkollor.

Megjithatë, Jasharaj ka paralajmëruar se SBAShK-u do ta respektojë çfarëdo vendimi që do ta marrë Gjykata Themelore në Prishtinë. “Jemi në pritje të vendimit nga kjo gjykatë. Cilindo vendim që do ta sjellë gjykata ne do ta respektojmë. Por, deri atëherë orët e humbura në grevë as të shtunave, as në pushimin pranveror dhe as në fund të vitit shkollor nuk do të kompensohen”, ka deklaruar Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit e ka pranuar faktin se kohët e fundit janë ftohur raportet në mes të SBAShK-ut dhe MAShT-it mirëpo, sipas tij, jo me fajin e SBAShK-ut.

“Fillimisht raportet kanë qenë korrekte në mes të SBAShK-ut dhe MAShT-it, mirëpo kohët e fundit janë ftohur, por jo me fajin e SBAShK-ut. Megjithatë, ne si SBAShK prapë jemi të hapur për komunikim dhe bashkëpunim, por duke pasur respekt të ndërsjellë dhe duke çmuar angazhimet e njëri-tjetrit. Edhe në të kaluarën SBAShK-u ka pasur kundërshtime dhe ‘përplasje’ me ministrat e arsimit, por falë angazhimeve të përbashkëta ato mosmarrëveshje tejkaloheshin në shërbim të arsimit në Kosovë”, ka theksuar Jasharaj.

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, SBAShK-u ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në rast se insistohet në zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës trejavëshe që është mbajtur. Pse nuk po pranoni të zëvendësohen këto orë?
Jasharaj: Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) edhe gjatë grevës kishte alarmuar tek institucionet që të angazhohen sa më shpejt dhe në mënyrë korrekte për të gjetur zgjidhje sepse orët e humbura gjatë grevës nuk do të kompensohen, sepse ky ishte vendim i Këshillit Drejtues të SBAShK-ut, që përfaqëson gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri tek universitetet. Edhe Ligji për grevat nuk obligon grevistët që t’i kompensojnë orët e humbura në grevë. Përveç kësaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, pa u konsultuar fare me SBAShK-un nxori një vendim, që nuk bazohet në ligj. Prandaj ne kemi ngritur padi ndaj këtij vendimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe jemi në pritje të vendimit nga kjo gjykatë. Cilindo vendim ta sjell gjykata ne do ta respektojmë. Por, deri atëherë orët e humbura në grevë as të shtunave, as në pushimin pranveror e as në fund  të vitit shkollor nuk do të kompensohen.

“Epoka e re”: Për këtë çështje SBAShK-u i është drejtuar gjykatës me kërkesën për pezullimin e vendimit të MAShT-it, që orët mos të zëvendësohen. Çfarë vendimi prisni nga gjykata?
Jasharaj: Po, e kemi dërguar padinë ndaj vendimit të MAShT-it lidhur me kompensimin e orëve,  sepse vendimi i tillë nuk ka bazë ligjore. SBAShK-u është i sigurt se gjykata do të sjellë vendim meritor dhe do ta hedhë poshtë vendimin e ministrit Bytyqi si të pabazuar në ligj. Pra, presim që vendimi i gjykatës të jetë në favorin tonë.

“Epoka e re”: Nëse gjykata do të vendosë pro vendimit të MAShT-it, çfarë qëndrimi do të ketë SBAShK-u?
Jasharaj: Po e thashë edhe më lart, Këshilli  Drejtues i SBAShK-ut ka qëndrim të qartë. Cilindo vendim që ta sjellë gjykata ne do ta respektojmë.

“Epoka e re”: Nuk ju vjen keq nga nxënësit që në këtë rast janë humbësit më të mëdhenj, meqë mësimdhënësit, edhe pse nuk kanë mbajtur mësim, janë paguar, ndërkohë nxënësit kanë mbetur mbrapa në procesin mësimor?
Jasharaj: Duke na ardhur keq për nxënësit ne jemi munduar që nga maji i vitit të kaluar që me takime dhe me dialog me institucionet të gjejmë zgjidhje dhe t’i përmirësojmë koeficientet për tërë sistemin arsimor në Ligjin e pagave. Kemi alarmuar me kohë edhe me protestën e 7 shtatorit 2018, por edhe me grevën njëorëshe më 28 dhjetor 2018,  duke paralajmëruar me kohë  se, nëse dialogu dhe këto angazhime nuk japin rezultate, atëherë do të shkohet me grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor më 14 janar 2019 dhe ashtu ndodhi, sepse institucionet nuk reflektuan. Për nxënësit duhet t’u vijë keq institucioneve që nuk kanë kryer detyrën e tyre me kohë dhe nuk i janë qasur në mënyrë korrekte dialogut për çështjen e ngritur.  SBAShK-u nuk i do grevat, por  kur dialogu nuk jep rezultat, atëherë nuk na mbetet zgjidhje tjetër. Greva është mjet legjitim për t’i shprehur pakënaqësitë dhe është e mbrojtur dhe e përcaktuar edhe me Ligjin e grevave të Kosovës.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi i SBAShK-ut me MAShT-in sepse, për dallim prej herëve të tjera, në këtë mandat qeverisës raportet SBAShK-MAShT shihet se nuk janë aq të mira?
Jasharaj: Fillimisht raportet kanë qenë korrekte në mes të SBAShK-ut dhe MAShT-it, mirëpo kohët e fundit janë ftohur, jo me fajin e SBAShK-ut. Megjithatë, ne si SBAShK prapë jemi të hupur për komunikim dhe bashkëpunim, por duke pasur respekt të ndërsjellë dhe duke çmuar angazhimet e njëri-tjetrit. Edhe në të kaluarën SBAShK-u ka pasur kundërshtime dhe ‘përplasje’ me ministrat e arsimit por, falë angazhimeve të përbashkëta, ato mosmarrëveshje tejkaloheshin në shërbim të arsimit në Kosovë.

 Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht prej zërave për një largim të Jadon Sanchos drejt…