Prezantohet raporti i përgjithshëm mbi inspektimet

01 korrik 2026 | 14:07

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, në kuadër Zyrës së Kryeministrit.

Në fjalën hapëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se, në mandatin e kaluar, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës hodhën hapin e parë legjislativ drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të inspektimit duke miratuar Ligjin për Inspektimet.

Ai shtoi se në raport evidentohet progres i dukshëm në zbatimin e kësaj reforme.

“Inspektimet nuk janë vetëm një çështje teknike apo administrative; ato janë një nga mënyrat më konkrete përmes të cilave shteti i drejtë tregon se ligji nuk është fjalë në letër, por standard që vlen në treg, në vendin e punës, në ushqimin që konsumojmë, në produktet që blejmë, në shërbimet që i marrim dhe në mjedisin ku jetojmë”, theksoi kryeministri në detyrë Kurti.

Ai nënvizoi se përveç ndryshimeve, me të cilat Qeveria synon të mbështesë dhe të bashkëpunojë me sektorin privat, reforma ligjore po ashtu e ka për qëllim forcimin dhe përmirësimin e punës së vet inspektorateve dhe personelit të tyre.

Teksa theksoi se është e rëndësishme që inspektimet të mos kthehen asnjëherë në mjet presioni, favorizimi apo keqpërdorimi, kryeministri shtoi se “qeverisja jonë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë të qartë: korrupsioni luftohet jo vetëm duke ndëshkuar posteriori rastet kur ato ndodhin, por duke ndërtuar sisteme që i zvogëlojnë mundësitë e hapësirat për arbitraritet, për pazare, për ndërhyrje dhe për trajtim të pabarabartë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e…