Prezantuesja franceze pezullohet pas komenteve për Jeremy Dokun

22 qershor 2026 | 13:55

Prezantuesja franceze France Pierron është pezulluar përkohësisht nga televizioni sportiv i L’Équipe, pas reagimeve të shumta që shkaktuan komentet e saj për futbollistin belg Jeremy Doku gjatë Kupës së Botës.

Gjithçka nisi pasi ylli i Belgjikës dhe Manchester Cityt bëri të ditur se mund të largohej përkohësisht nga grumbullimi i kombëtares për të qenë pranë bashkëshortes së tij gjatë lindjes së fëmijës së tyre të parë.

Doku ka deklaruar se ardhja në jetë e djalit të tij është një moment shumë i rëndësishëm, edhe pse është i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka ndaj kombëtares.

Komentet e Pierron në emisionin “L’Équipe de Choc” shkaktuan reagime të forta. Ajo e cilësoi si të papranueshme mundësinë që Doku të humbiste një ndeshje të Botërorit për të qenë i pranishëm në lindjen e fëmijës së tij, duke deklaruar se babai ka një rol më pak të rëndësishëm gjatë atij momenti.

Deklaratat u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kritikuan nga tifozë, gazetarë dhe figura publike. Pas reagimeve, Pierron kërkoi falje publike.

“Po shprehja një mendim personal në kuadër të një debati. E kuptoj që fjalët e mia mund të kenë shqetësuar ose lënduar disa njerëz dhe kërkoj ndjesë për këtë. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të minimizoj rolin e babait pranë partneres dhe fëmijës së tij”, ka shkruar ajo.

Sipas raportimeve në Francë, drejtuesit e L’Équipe kanë vendosur ta largojnë përkohësisht nga ekrani, ndërsa redaksia e kanalit ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është menaxhuar situata.

Në një reagim zyrtar, L’Équipe është distancuar nga komentet e prezantueses dhe ka kërkuar falje ndaj Dokut dhe tifozëve të futbollit.

“Deklaratat e bëra në emision janë larg vlerave të grupit tonë. Kërkojmë falje ndaj lojtarit dhe të gjithë atyre që janë ndier të ofenduar”, thuhej në reagimin e mediumit francez.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Francës dhe Real Madridit, Kylian Mbappe, ka lënë…