Prindërit e Donjetës të revoltuar me vendimin e gjykatës (Video)

06 mars 2018 | 19:33

Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015 ndërsa e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

Familjarët e Donjeta Pajazitaj janë revoltuar pasi Gjykata Themelore e Pejës, shpalli të pafajshëm Naser Pajazitaj, që akuzohej për vrasjen e saj.

Vëllai i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqimi, është revoltuar pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore e Pejës, që e shpalli të pafajshëm të akuzuarin për vrasjen e motrës se tij, raporton “Kallxo.com”.

Shkëlqim Pajazitaj duke u larguar nga salla e gjykimit ka shqelmuar derën e sallës se gjykimit me ç’rast e ka thyer atë.

Policia e Kosovës menjëherë ka reaguar duke e arrestuar Shkëlqim Pajazitajn.

Nëna e Donjeta Pajazitajt, Lumnija, ka reaguar me emocione pas vendimit të Gjykatës së Pejës, e cila e shpalli të pafajshëm Naser Pajazitajn, të akuzuarin e vetëm për vrasjen e vajzës nga Strellci i Deçanit.

Edhe babai i Donjetës shprehu mllefin e tij ndaj këtij aktgjykimi.

“Qysh kanë mujtë që tri vjet me na lënë të maltretuar edhe në fund mos me zbulu kurrgjë. S’ka shtet as s’ka kurrgjë këtu hiç. Korruptim është krejt kjo. Mallkuar u koftë. Mallkuar u koftë o Zot, qysh me shku çika në punë e me më ardhë në arkivol edhe mas mbrami kurrgjë. Qysh shkon more kështu? A jeni në veti? A keni Zot?”, tha e përlotur nëna e viktimës.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.
(Kallxo.com)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa aftësi mbresëlënëse në këtë shfaqje, jo pak edhe nga…