Prishtina fiton derbin ndaj rivalit të vjetër, Trepçës

17 prill 2022 | 19:01

Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 82:74 (17:17, 22:16, 17:14, 26:27), në xhiron e 27-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Mysafirët e nisën me një seri prej 0:5, por prishtinasit rikthehen shpejt, duke pasur epërsi prej shtatë pikësh, 14:7 dhe 17:10, por në fund të çerekut të parë ‘Xehetarët’ shënuan shtatë pikë për rezultatin përfundimtar të kësaj pjese 17:17. Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, ku kishin epërsi deri në nëntë pikë, 33:24, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 39:33, me një treshe nga Amir Hot.

Kryeqytetasit nuk u ndalën as në periudhën e tretë, madje e thelluan edhe më shumë epërsinë, ku më e larta e ndeshjes ishte 16 pikë, 51:35, ndërkohë, që më pas mysafirët ngushtojnë epërsinë, ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 56:47. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë e barabartë, por prishtinasit ruajtën dhe menaxhuan epërsinë, duke triumfuar në fund 82:74.

Te Sigal Prishtina, Lejson Zeqiri, Meriton Ismaili dhe Wendell Mitchell shënuan nga 12 pikë, kurse Jetmir Zeqiri shtoi 16, ndërsa te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 24 pikë e nëntë kërcime dhe Amin Hot me 12 pikë e tetë asistime.

Sigal Prishtina blindoi vendin e pestë me 14 fitore e 13 humbje, kurse Trepça ka 18 fitore e nëntë humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediumi NEXTA ka publikuar një video nga momentet e sulmeve…