Prishtina, fituese e Superkupës

23 janar 2021 | 14:27

FC Prishtina është fituese e Superkupës së Kosovës në futboll.

Takimi i zhvilluar të shtunën në mesditë në Antalya të Turqisë, u takoi kryeqytetasve që mposhtën gjilanasit e Dritës me rezultatin 3:1.

Fituesja e trofeut të Kupës, Prishtina, kaloi në epërsi në minutën e tretë me golin e Qendrim Zybës.

Katër minuta më vonë u kundërpërgjigj Kastriot Rexha, i cili barazoi shifrat duke e shfrytëzuar edhe gabimin e portierit Eglant Haxho.

Në minutën e 22-të, Prishtina e ktheu avantazhin. Mbrojtësi Besnik Krasniqi e konvertoi në gol penalltinë e fituar nga Leonit Abazi.

Goli i fundit nga Prishtina në këtë duel u shënua në minutën e tretë të kohës shtesë.

Alban Shillova vulosi epilogun final të takimit, Prishtina – Drita 3:1.

Superkupa e Kosovës u zhvillua për herën e parë jashtë territorit të Kosovës, me pajtim të të dyja klubeve, që po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para stinorit pranveror.

Prishtina e Drita do të takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” më 10 shkurt edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, në fazën e 1/8 së finales.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale për ish luftarët e…