Prishtina i kthehet suksesit, fiton derbin e kryeqytetit ndaj Borës

08 mars 2026 | 23:42

Sigal Prishtina ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Borës me rezultat 77:72, në ndeshjen e xhiros së njëzet e tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Përballja është zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” dhe ka qenë një duel shumë interesant mes dy skuadrave të kryeqytetit. Ndeshja është vendosur vetëm në aksionet e fundit, pasi të dy ekipet kanë luftuar deri në fund për fitore, por Prishtina është treguar më e saktë në momentet vendimtare.

Me këtë triumf, “bardhekaltrit” i kanë dhënë fund serisë prej pesë humbjeve radhazi në kampionat.

Te Prishtina është dalluar Deondre Burns me njëzet e shtatë pikë, gjashtë asistime dhe katër kërcime. Altin Morina kontribuar me shtatëmbëdhjetë pikë, tri kërcime dhe dy asistime, ndërsa Adrio Bailey ka shtuar katërmbëdhjetë pikë dhe gjashtë kërcime.

Te Bora më i dalluari ka qenë Shaquan Jules me katërmbëdhjetë pikë dhe katër kërcime. Jetmir Zeqiri ka realizuar vetëm tri pikë, por ka regjistruar plot dymbëdhjetë kërcime dhe tri asistime, ndërsa Carlton Bragg e ka përfunduar ndeshjen me tetë pikë dhe shtatë kërcime.

Bora ka hyrë në këtë takim pas tri fitoresh radhazi.

Pas kësaj fitore, Prishtina ngjitet në vendin e gjashtë me tridhjetë e dy pikë, një më shumë se Vëllaznimi që zbret në pozitën e shtatë. Bora mbetet në vendin e tretë me tridhjetë e pesë pikë, ndërsa Peja dhe Ylli ndajnë pozitat katër dhe pesë me nga tridhjetë e tri pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ditë kur mëngjesi nis me aq vrull sa një…