Prishtina prezanton projektet për mbrojtjen e mjedisit

14 prill 2019 | 14:10

Në kuadër të takimit të tretë të Unionit të bashkive shqiptare në rajon, në sesionin “Green Cities”, komunat kanë prezantuar projektet dhe iniciativat e ndërmarra në funksion të mbrojtjes së mjedisit, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra.

Projektet e Komunës së Prishtinës i ka prezantuar drejtoresha për Parqe, Fatime Hajdari dhe Mimoza Sylejmani nga Zyra për regjenerim urban. “Komuna e Prishtinës zotimin për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet do ta realizojë përmes projektimit ‘4 parqe të reja për çdo vit’, mbjelljes së fidanëve (6 700 fidane të mbjella vetëm muajt e fundit), fushatës së përvitshme ‘Bëhu mik i tokës’ përmes së cilës vetëdijesojmë për rëndësinë e mjedisit të pastër dhe të gjelbër për një jetë më të shëndoshë. ‘Pema’ është një projekt inovativ për pastrimin e ajrit, punuar nga një grup studentësh dhe i cili do të vendoset edhe në disa lokacione në kryeqytet”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim janë prezantuar edhe iniciativat e transformimit dhe revitalizimit të hapësirave të deponive ilegale në hapësira të gjelbra e rekreative. “Shembulli më i mirë që ilustron këtë iniciativë është parku në ‘Arbëri’, i cili ka qenë deponi ilegale e mbeturinave dhe tani po shndërrohet në park me sipërfaqe 1 hektarë dhe 500 drunj”, ka njoftuar komuna e Prishtinës.

Në fund të takimit, kryetarët nënshkruan deklaratën e përbashkët përmes së cilës u zotuan se sekretariati i përgjithshëm do të bëjë koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë edhe komunat e reja anëtare, Çair, Vlorë dhe Tuz.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka diskutuar me…