Prishtina – Rahoveci, derbi në basketboll

09 mars 2019 | 10:47

Pas ndeshjes Kosova – Rumania, pastaj “Final 8” të Kupës së Kosovës dhe krejt në fund duelit në mes të Z Mobile Prishtinës dhe Pallacanestro Vareses, tashmë basketbollit të Kosovës i kthehen ndeshjet e Superligës së Kosovës me ndeshjet e xhiros së XX-të që do të luhen të shtunën dhe të dielën.

Të shtunën janë në program dy ndeshje dhe të dielën dy të tjera. Të shtunën, me fillim nga ora 17:00, AFK Borea është nikoqire e Bashkimit, kurse dy orë më vonë, Z Mobile Prishtina do të ballafaqohet në kryeqytet me Rahovecin.

Ndërkaq të dielën, duke filluar nga ora 17:00, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë do të zhvillohet ndeshja më interesante e kësaj xhiroje, ajo në mes të Trepçës dhe Ponte Prizrenit. Dueli i fundit do të luhet në Lipjan, ku Lipjani është nikoqir i Golden Eagle Yllit, takim ky që do të zhvillohet nga ora 19:00.

Duhet theksuar se Z Mobile Prishtina kryeson në renditjen tabelore të Superligës së Kosovës, ku nga 19 ndeshje ka shënuar po aq fitore dhe ka grumbulluar 38 pikë, kurse Golden Eagle Ylli zë pozitën e dytë me 31 pikë, me 12 fitore e 7 humbje, derisa bilanc të njëjtë ka edhe Rahoveci në vendin e tretë, kurse Trepça është e katërta me 28 pikë, 9 fitore e 10 humbje, me bilanc të njëjtë si Ponte Prizreni dhe Bashkimi.

Lipjani është në pozitën e parafundit me 22 pikë, një më shumë se AFK Borea që është në vendin e fundit.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
61 deputetë të Kuvendit të Kosovës po i kërkon Lidhja…