Prishtina sonte zhvillon ndeshjen e parë në Ligën e Evropës, Malisheva në Ligën e Konferencës

10 korrik 2025 | 11:05

Prishtina e nis rrugëtimin në Ligën e Evropës me një përballje të fortë ndaj Sheriff Tiraspolit në xhiron e parë kualifikuese të kësaj gare.

Ndeshja luhet në “Sheriff Arena” në Tiraspol, me fillim nga ora 19:00, ku kryeqytetasit synojnë të marrin një rezultat pozitiv në udhëtim.

Përballja do të gjykohet nga gjyqtari kroat Dario Bel, ndërsa ekipi kosovar kërkon të tregojë karakter dhe organizim përballë kampionëve moldavë.

Trajneri dhe lojtarët e Prishtinës janë të motivuar që të japin maksimumin në këtë sfidë të parë, duke synuar një epilog që do t’u jepte atyre avantazh para ndeshjes së kthimit.

Ndeshja e dytë do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një përkrahje masive nga tifozët vendas.

Prishtina është e vetëdijshme për forcën e kundërshtarit, por synon të shfrytëzojë çdo mundësi për të dalë me kokën lart nga kjo sfidë.

Ndërsa Malisheva e nis për herë të dytë në histori rrugëtimin evropian, duke marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Konferencës.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Bekim Isufi do të përballet me islandezët e Vikingur Reykjavik, në një sfidë që zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:15.

Në letër, mysafirët konsiderohen favoritë për shkak të përvojës më të madhe në Evropë, por Malisheva është e vendosur të luftojë për një fitore para tifozëve të saj.

Trajneri Isufi dhe ekipi i tij kanë punuar me përkushtim gjatë fazës përgatitore, dhe tash synojnë që ta shfrytëzojnë sa më mirë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e publikut.

Pavarësisht se përballen me një kundërshtar të fortë, malishevasit janë të motivuar për të lënë gjurmë dhe për të bërë hapin e parë drejt kualifikimit. Sfida e kthimit do të luhet pas një jave në Islandë, por synimi kryesor mbetet marrja e një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i stacionit policor në Lipjan, Argjend Gashi, ka konfirmuar…