Proces i orientuar me qëllime politike!

16 korrik 2025 | 17:17

Prof. dr. Agim ZOGAJ

Trillimi primitiv e Dick Martyt

Bazë për ngritjen e Aktakuzës kundër ish krerëve të UÇK-së ishte, Raporti i Dick Martyt, i cili Raport, në fakt ishte një sajesë politike, trillim i paskrrupullt, komplot, në bashkëpunim me shtetin e Serbisë, Rusinë dhe ndonjë aleatë të tyre, të hapur dhe fshehtë. Jo më shumë se tre javë, pas shpalljës së Pavarësisë së Kosovës, ish Prokurorja e Përgjithshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Del Ponte, më 11 mars 2008, e kishte dhënë një intervistë, ku e kundërshtonte legalitetin e shpalljës së Pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, një ditë pas publikimit të intervistës së Del Ponte, Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Këshillit të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, në intervistën me gazetaren, Silvia Cattori, të publikuar më 12 mars 2008, ngjashëm sikur Del Ponte, kishte kundërshtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës gjoja, ”… në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Dick Marty, akuzon, përbalt, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje , duke e cilësuar edhe si “…organizatë kriminale…që u shndërrua në instrument të amerikanëve për t’u mundësuar atyre në Kosovë krijimin dhe mbajtjen e bazës ushtarake më të madhe në botë”!?
Del Ponte, çështjen e sipërpërmendur, e kishte aktualizuar në librin e saj, “Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”, prill 2008.
Deputeti rus, Konstatin Kosachev, më 15 prill 2008, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e dorëzoi propozimin për Rezolutë lidhur me “ Trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtisë ilegale me organet e njerëzve”? Projekt – Rezoluta ishte nënshkruar nga 17 deputetë. Një ditë pas nënshkrimit të asaj Projekt – Rezolute, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mbajtur mes 14 – 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zvicerran dh ai suedez propozuan që të hapet debat lidhur me “pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Gjatë atij debati, pikërisht më 16 prill 2008 diskutimi i Dick Martyt, për shumëçka ishte i veçantë, jashtëzakonisht ekstrem dhe në rolin e mashtruesit. Marty, pra, edhe para hartimit të Raportit të tij famkeq, e qartësoi pozicionin e tij pro shtetit serb, duke e etiketuar Kosovën si “ oazë” historike të” krimit” të organizuar.
Si rrjedhojë, Komisioni për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës me 16 prill 2008 e kishte ngarkuar, pikërisht Dick Martyn të hartonte një Raport për çështjet të cilat, tani më ishin bërë publike. Pra, një evro-parlamentar si Marty, qëllimisht bëhet zëdhënës, i propagandës primitive, kriminale të shtetit serb dhe atij rus! Objektivi ishte : Nuk duhet zgjedhur mjete kundër Kosovës, Pavarësisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës !
E revoltuar, me këtë fushatë anti Kosovë dhe anti UÇK, dhe, nga përfshirja e pashembullt e Del Pontes, në përhapjen e paskrrupullt të propagandës serbe/ruse, kishte reaguar Florence Hartmann, ish zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo, në gazetën “Le Temps”, datë 16 prill 2008, në shkrimin me titull, “Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikim me organet në Kosovë”, pyeste:”…si është e mundur që Del Ponte, puna e së cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta … sot të na fundos në kohën më të errët të propagandës…”!

Asnjë provë, dëshmi, vetëm trillime

Edhe në fazën e hetimeve, vazhdimisht sekrete dhe në bashkëpunim me Shërbimin Sekret Serb (BIA), edhe përmes gazetarëve “hulumtues” serbë, në lidhje me pretendimin e trafikimit të organeve , Marty nuk kishte gjetur asnjë provë! Këtë ia kishin bërë të ditur edhe ekspertët e EULEX-it për krime lufte, madje, duke ia qartësuar se, akuzat për trafikim të organeve janë vetëm “ përrallë e frikshme”. Dick Marty, pra, edhe në lidhje me Shtëpinë e Verdhë në Veri të Shqipërisë, nuk gjente prova. Pikërisht më 12 dhjetor 2010, raportuesi Dick Marty, pjesë e grupit të deputetëve liberal – demokratë në Asamblenë Parlamentare e dorëzoi dokumentin, Raportin e fallsifikuar, po me të njëjtin titull sikur rusi, Konstantin Kosachev, “Trajtimi jo human i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovës”! Dick Marty në Raportin e Këshillit të Evropës ndër të tjera shkruan se :” …ndaj të ndaluarve në disa lokacione të Shqipërisë janë hequr në mënyrë të kundërligjshme organet e të cilat pastaj janë trafikuar për transplantim në vendet e treta…”!?
Por, tani, gati pesë vjet pas ngritjes së Aktakuzës, së Gjykatës Speciale kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në asnjë paragrafë të aktakuzave përkatëse nuk flitet për trafikim të organeve dhe as për Shtëpinë e Verdhë. Dyshimet për trafikim të organeve nuk u provuan asnjëherë. Këtë e kishte deklaruar edhe ish prokurori Clint Williamson i cili, përmes Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së ishte marrë me hetimin e Raportit të Dick Martyt. Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës dhe avokati, Geoffrey Nice, ndërsa, në një prononcim ka thënë se:”…mendoj se ka ardhur koha për prokurorin e kësaj gjykate z. Smith që të njohë dëmin të cilin i ka bërë popullit tuaj dhe të dalë qartazi dhe të thotë se ne nuk kemi dëshmi të tilla dhe se askush nuk do të akuzohet për këtë krim… ”!

Historia e fushatës së tërbuar dhe e shpifjeve, të Dick Martyt, sipas skenarit serb, ka vazhduar edhe me rastin e klinikës, “Medicus”. Gjyqtari ndërkombëtar, Dean B. Pinels në dëshminë e tij ndër të tjera deklaron se: “Gjatë rrjedhës së gjyqit, ne e konsideruam me rëndësi jetike marrjen e dëshmisë së Dick Martyt… Më pas ne bëmë një kërkesë zyrtare…”. Mirëpo, “ Për tronditjen dhe habinë tonë, Marty dhe Këshilli i Evropës pretenduan se ai nuk ishte i disponueshëm me arsyetimin se kishte imunitet për të dëshmuar…ky pretendim ishte absolutisht i pakuptimtë…”!? Gjyqtari Pinels, më 26 prill 2022, konstatonte se:” Vlen të përmendet veçanërisht fakti se asnjë nga aktakuzat nuk përmend as më të voglën referencë për trafikimin e organeve”.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet ta shfuqizojë Raportin

Pra, është veçanërisht për t’u theksuar fakti se, asnjë nga aktakuzat nuk bën as referencën më të vogël për trafikimin e organeve. Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kohe, në fillim të gjyqit kishte pyet prokurorin:  “Ku janë akuzat për vjedhjen e organeve të njeriut dhe historia e “Shtëpisë së Verdhë”, që u shfaq aq shumë, në nxitjen e krijimit të kësaj gjykate…”?! Avokati, Dastid Pallaska, pasi vë në pah se, dy hetime janë zhvilluar, për t’i vërtetuar pretendimet e Raportit të Dick Martyt, më tej konstaton: “Task Forca Speciale Ndërkombëtare dhe Preokuroria Speciale e Kosovës, shumicën e pretendimeve të Raportit të Dick Martyt i kanë vërtetuar se ishin trillime”! Korrespondenti i BBC-së, Nick Thorpe, më 16 dhjetor 2010 , pasi në kryetitull pyet, “ Ku janë provat” më tej nënvizon: “ Hetuesit e krimeve të luftës nga EULEX-i i thanë zotit Marty se akuzat për organet ishin një “përrallë” e tmerrshme”! Sipas, gazetarit të BBC-së, Nick Thorpe: “z. Marty identifikohet si një njeri që gjithmonë e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe tani po bashkëpunon me Serbinë, në një komplot për të dekurajuar vendet e tjera nga njohja e Kosovës”! Kurse, për Deputetin e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Bernd Possel, (dhënë në intervistën për “Deutsche Welle”), Marty është një “demagog”, thjesht dhe për qëllime propagandistike, të sojit të makinerisë propaganduese serbe vazhdon të sajojë, të përpilojë raporte mashtruese, të mbështetura nga shërbimet e caktuara…”!
Rrëzimi i mocionit të mbrojtësve të katër çlirimtarëve tanë, dëshmon se, Prokuroria dhe Trupi Gjykues, gjithsesi, të nxitur nga presionet e Serbisë dhe të aleatëve të saj gjithandej, në këtë proces gjyqësor, kanë objektiva politike!
A do të thotë kjo se, Raporti i Dick Martyt, i cili u sajua me falsifikime, trillime të “ dëshmive” të rreme, të Prokurorisë së shtetit serb, të Shërbimit Sekret Serb dhe, me gjasë, edhe të shërbimeve të tjera të fshehta, duhet të rrëzohet, të shfuqizohet, pikërisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe nga vetë Gjykata Speciale? ! Ndryshe, drejtësia është e prangosur!

/ Fjalë e mbajtur e autorit, më 14. 07. 2025, në Konferencën për medie të Shoqatës, “Liria ka Emër”/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edon Zhegrova mund të largohet nga Lille. Sipas asaj që…