Proceset e shpeshta zgjedhore, indikatore negative për investime në Kosovë

19 janar 2021 | 11:24

Kryetari i Odës Ekonomike i Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se në kohë të fushatës zgjedhore partitë politike nuk duhet të japin premtim për rritje të pagave.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka theksuar se proceset e shpeshta zgjedhore po e rritin jashtëzakonisht shumë jostabilitetin politik në vend, i cili pastaj po ndikon edhe në investimet që janë duke ndodhur në Kosovë, por edhe në ato që potencialisht do të mund të ndodhnin.

Rukiqi ka thënë se pezull për Kosovën mbetet siguria e furnizimit me energji elektrike. Sipas tij, ende nuk dihet se ku do ta marrim energjinë pas pesë apo dhjetë vjetësh. “Është në interes strategjik që të kemi një politikë të qartë sa i përket sektorit të energjisë”, ka thënë Rukiqi

 

“Epoka e re”: Z. Rukiqi, si e keni parë planin e rimëkëmbjes ekonomike të paraqitur nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe nga ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami?
Rukiqi: Shumat e ndara që shkojnë te sektori privat janë të pamjaftueshme dhe nuk janë në fokus të rikuperimit të gjendjes së sektorit privat dhe gjendjes financiare të bizneseve. Ne nuk presim që qeveria do t’ua mbulojë humbjet bizneseve, por së paku t’ua lehtësojë gjendjen. Nëse e bëjmë krahasimin me fondin prej 6 milionë eurosh që ishte në tetor-nëntor me këtë që është tani, themi se definitivisht janë mjetet të pamjaftueshme.

 “Epoka e re”: Cilat janë çështjet që do të duhej ta kishin fokusin më të madh?
Rukiqi: Çështja e parë është kjo shuma e ndarë për subvencionimin e pagave, e cila do të duhej të ishte një vlerë më e madhe se kjo që është. Do të thotë, fokusi të ishte më i madh edhe tek eksportet, pasi janë shumë kompani prodhuese që kanë nevojë për ndihmë më të madhe, sepse e kanë një pjesë të tregjeve edhe jashtë vendit, dhe do të duhej të përkraheshin me një vlerë shumë më të madhe. Natyrisht që do të duhej të kishte përkrahje më të madhe për iniciativat që janë për vende të reja të punës. Të gjitha këto janë në njëfarë forme të përfshira, por me vlera që janë, për mendimin tim, simbolike.

 “Epoka e re”: Tani, kur jemi në prag të fushatës elektorale dhe në kohën e pandemisë, cili është mendimi juaj sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, duke marrë parasysh proceset e shpeshta zgjedhore që po na ndodhin si vend?
Rukiqi: Po shohim se paritë politike po tentojnë të sjellin ide për rimëkëmbje ekonomike, për mënyrën se si do t’i qasen ekonomisë ose çfarë do të mund të ndryshojnë. Mirëpo, s’po shoh diçka substanciale që do të jetë më ndryshe nga ajo që kishim deri më tani. Ndërkaq, proceset e shpeshta zgjedhore po rritin jashtëzakonisht shumë indikatorin e jostabilitetit politik në vend, e kjo pastaj po ndikon edhe në investimet që janë duke ndodhur në Kosovë, por edhe në ato që potencialisht do të mund të vinin. Pra, është një indikator mjaft negativ.

“Epoka e re”: Si qëndron puna në aksin e tërheqjes së investimeve të huaja, pasi projektin më të madh të investimeve, termocentralin “Kosova e re”, e kemi pezull?
Rukiqi: Nuk është vetëm çështja e termocentralit “Kosova e re” që ka mbetur pezull e një rëndësie të madhe strategjike. Pezull na mbetet edhe siguria e furnizimit me energji elektrike që është interes strategjik për Kosovën. Pra, s’është vetëm çështja e një projekti. Është për keqardhje se si më shumë se 20 vjet pas luftës nuk kemi stabilitet të energjisë elektrike dhe nuk e dimë se ku do ta marrim energjinë pas pesë apo dhjetë vjetësh. Në kohën kur termocentralet po vjetrohen dhe në kohën kur investimi i fundit serioz ka ndodhur në vitin 1984, ne ende nuk kemi as një përgjigje nga asnjë politikbërës se si do të jetë e ardhmja energjetike e vendit. Ne humbëm çdo mundësi që ta shfrytëzojmë linjitin ose të gjejmë financim për shfrytëzimin e tij. Tani e vetmja mundësi ka mbetur që me fondet qeveritare ta kemi një termocentral modest i cili sadopak i plotëson nevojat tona.

 “Epoka e re”: Më parë kishte ide që projekti i Brezovicës, por edhe Termocentrali të ndërtoheshin me mjetet e Trustit, por atëherë nuk bëhej fjalë për ndryshim të Ligjit të Trustit. Tani që  u ndryshua, si e shihni këtë mundësi?
Rukiqi: Nuk mendoj se mjetet e trustit do të duhej të hynin në kësi lloj projektesh. Ka mundësi që për projektin e Brezovicës të caktohen fonde të tjera, por vetëm duhet të dizajnohet si duhet. Duhet të kemi edhe një pjesë të investimeve publike në infrastrukturën e Brezovicës dhe në shërbimet e caktuara publike që duhet t’i ketë një resor skijimi, ndërkaq pjesa tjetër mund të jetë me investime private si për ndërtimin e kapaciteteve, pistave e kështu më radhë. Duhet të gjenden forma të tjera dhe jo të investohen mjetet e Trustit.

 “Epoka e re”: Sa i përket diplomacisë ekonomike, kemi mungesë të atasheve ekonomikë dhe joadekuatë nëpër ambasada?
Rukiqi: Është e nevojshme që të ketë persona adekuatë nëpër ambasada të cilët janë të deleguar për ekonomi dhe nuk janë eksponentë politikë, por ekspertë të fushës. Nëse e ndjekim modelin austriak shohim se janë të lidhur drejtpërdrejt me Odën Ekonomike atje. Shumë lehtë mund ta kryejnë pjesën ekomomike të B2B dhe t’i joshin bizneset për të investuar në një vend, por edhe t’u hapin rrugë bizneseve për të eksportuar jashtë vendit.

 “Epoka e re”: Cilat duhet të jenë prioritet ekonomike të qeverisjes së ardhshme?
Rukiqi: Është në interes strategjik që të kemi një politikë të qartë sa i përket sektorit të energjisë, pastaj edhe të shkathtësisë së fuqisë punëtore. Pra, hapja e mundësisë për ta si dhe çështja e eksportit.

 “Epoka e re”: Partitë politike zakonisht premtojnë rritje të pagave për sektorin publik, çfarë nëse sërish dalin me këtë premtim?
Rukiqi: Zhvillimi ekonomik nuk vjen me rritjen e pagave në sektorin publik. Pagat janë më të larta në sektorin publik sesa në sektorin privat. Nuk do të dëshiroja që të kemi sërish një premtim të tillë i cili po shkatërron aftësinë konkurruese të sektorit privat. Prandaj, partitë politike as që duhet ta kenë në planprogram të tyre një gjë të tillë.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është drejtuar me…