
Procesi i vettingut, Selmanaj dhe Selimi zotohen se të korruptuarit do të largohen nga sistemi i drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka prezantuar raportin e Grupit punues për procesin e vettingut.
Selimi bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj të mërkurën në një konferencë për media ka njoftuar se kryesues i grupit punues, Florent Spahija, e ka dorëzuar raportin në të cilin, sipas tij, për katër muaj është punuar në mënyrë intensive.
“Ky është vetëm hapi i parë për një sistem të pastër, të fortë dhe llogaridhënës për t’i mbrojtur prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm dhe për t’i larguar ata që s’janë të ndershëm”, ka thënë Selimi, duke shtuar se raporti shumë shpejt do t’i propozohet qeverisë për miratim.
Ndërsa Selmanaj ka thënë se me modalitetin që do të zgjedhin do të largojnë nga sistemi i drejtësisë të korruptuarit dhe do të vlerësojnë ata me integritet të lartë.
“Na mbetet të vendosim një nga modalitetet që janë ofruar nga grupi. Jemi të bindur se me këtë dokument dhe modalitetin që do të zgjedhim. Jemi të sigurt që po i vjen fundi i dembelëve, të korruptuarve dhe atyre që kanë qenë të papërgjegjshëm brenda sistemit të drejtësisë. Por, normalisht do të vlerësohen ata të cilët kanë integritet dhe jemi të bindur se me këtë modalitet do të ndërtojmë besim në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj ka thënë se beson që modalitetin që do të zgjedhin do të përkrahet edhe nga forcat e tjera politike për të ndërtuar një sistem të drejtësisë funksional.