Prodhimi vendor nuk mjafton, nevojiten kapacitete të reja në sektorin e energjisë

19 dhjetor 2018 | 15:31

Furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike për sektorin privat është kyç në veprimtarinë e bizneseve. Mungesa e prodhimit të mjaftueshëm në këtë sektor reflekton në joqendrueshmëri të furnizimit e që pastaj rezulton në humbje të shumta për bizneset. Kështu u tha të mërkurën në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua mbi çështjen e situatës aktuale të furnizimit me energji elektrike në vend.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka njoftuar të pranishmit me gjendjen aktuale në vend në aspekt të furnizimit me energji elektrike.

Ai ka thënë se ministria që ai drejton angazhohet vazhdimisht në mënyrë që t’iu përshtaten kërkesave të tregut duke siguruar kështu furnizim stabil të energjisë si për bizneset ashtu edhe qytetarët.

Ministri Lluka ka shtuar se ndërprerjet e energjisë të cilat zakonisht bëhen janë kryesisht nga mbingarkesa dhe punimet e kohëpaskohshme në rrjetin elektrik dhe se nuk ka reduktime për arsye të mungesës së prodhimit sepse energjia e munguar po sigurohet nga importi.

Lluka ka thënë gjithashtu se për shkak të arsyeve politike, për mospërmbushje të marrëveshjeve me Serbinë, nuk ka mundur të futet në funksion linja e interkoneksionit me Shqipërinë, gjë që ka vonuar investimet e planifikuara të KOSTT.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ka thënë se ky institucion që na viti 2015 deri më tani ka lehtësuar çështjen e furnizimit të energjisë për bizneset duke iu ofruar zbritje prej 15 për qind.

Ai ka përmendur nivelin jostabil të energjisë kohëve të fundit si pasojë e mungesës së qëndrueshmërisë së termocentraleve, duke theksuar mungesën e kapaciteteve të reja në këtë sektor si pengesën kryesore në zhvillim të saj.
Pepaj ka thënë se konsumatori është prioriteti kryesor i ZRrE e cila është duke punuar në monitorimin e furnizimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike në mënyrë që të shmangin ndërprerje të panevojshme të energjisë.

Më tutje, bizneset e pranishme patën rastin të adresojnë shqetësimet dhe sfidat kryesore që po hasin në këtë aspekt duke iu bërë thirrje institucioneve relevante për gatishmëri në këtë drejtim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me…