
Profesori Ardian Gola, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Gjakovës
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e Ardian Golës për kryetar të Komunës së Gjakovës. Në prani të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, deputetit Glauk Konjufca dhe qindra qytetarëve e aktivistëve, Vetëvendosje tha se Gjakova është gati për hapin e madh përpara.
“Me profesor Ardian Golën dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, do ta ngremë Gjakovën më lart se kurrë më parë,” thuhet në njoftim.
Gola, profesor universitar me përvojë të gjatë akademike, u vlerësua për “mendjen e ndritur, zemrën e madhe dhe vizionin e qartë për Gjakovën”.
Ai pritet të fokusohet në forcimin e arsimit, zhvillimin e kulturës dhe ekonomisë lokale, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
“Gjakova meriton udhëheqje që jo vetëm administron, por frymëzon. Që e kthen besimin dhe krenarinë qytetare,” u tha gjatë prezantimit të kandidaturës.
Njoftimi i plotë i LV-së:
Gjakova kryeqyteti i shpirtit dhe kulturës shqiptare, është gati për hapin e madh përpara!
Nga 12 tetori, me profesor Ardian Golën dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, do ta ngremë Gjakovën më lart se kurrë më parë.
Në praninë e Kryeministrit Albin Kurti, Nënkryetarit, deputetit, Glauk Konjufca, Sekretarit Alim Rama, ministrave Arbërie Nagavci e Ejup Maqedonci, zëvendësministres Dafina Gexha Bunjaku, deputetëve Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Driton Hyseni, ish-deputetëve Jahja Koka e Gani Krasniqi, Kryetarit tonë të Qendrës Agon Batusha, aktivistëve dhe qindra qytetarëve, konfirmuam sot kandidaturën e profesorit që ka mendjen e ndritur, zemrën e madhe dhe vizionin e qartë për Gjakovën – Ardian Gola.
Me përvojë akademike të spikatur dhe integritet të pakompromis, ai e njeh historinë e këtij qyteti dhe fuqinë e njerëzve të tij. Nga Çarshia e Madhe deri te lagjet e reja, nga fshatrat e gjelbër të Anadrinit deri te diaspora që mban gjallë lidhjen me vendlindjen – Ardian Gola ka një plan që Gjakovën ta bëjë sërish lidere në kulturë, zhvillim dhe mirëqenie.
Gjakova meriton udhëheqje që jo vetëm administron, por frymëzon. Që jo vetëm menaxhon, por transformon. Që e kthen besimin dhe krenarinë qytetare.
Me Ardian Golën, Gjakova do të jetë qyteti i mundësive për të rinjtë, i ekonomisë së gjallë, i shkollave të forta, i artit që frymon në çdo rrugë, i mjedisit të pastër dhe i shpresës që nuk shuhet.
Ky është momenti ynë. Ky është Kryetari ynë. Ky është ndryshimi që Gjakova e meriton.
Bashkohuni me ne, për Gjakovën që e duam!