Profili krijues i Adem Gashit

01 shkurt 2024 | 15:52

Prof. asoc. dr. Emin Z. Emini

Adem Gashi është figurë poliedrike, në epiqendrën e së cilës ndodhet shkrimtari i dyzuar: poeti dhe prozatori. Poeti është liriku i rrallë me emocion të emancipuar dhe gdhendësi i pashoq i fjalës, ndërsa prozatori është romacieri dhe tregimtari i poetikës moderniste, i cili sikur me kryenqësi i bën konkurencë poetit, veçanërisht me veprën “Lakorja e fatit”, (Armagedoni, 2020), duke i dëshmuar kështu “rivalit” se toka e begatë e Adem Gashit është tregimtaria. Pranë këtyre dy autorëve, poetit e prozatorit pra, për ta ndërtuar tërësinë e kësaj figure, s’ka si të mos ndodhet edhe eseisti e publicisti, tekstshkruesi i shumë këngëve si dhe veprimtari i dalluar kulturor e njeriu që gjithë jetën e tij qëndroi vertikalsht dhe që u angazhua e ndëshkua për veprimtarinë e tij atdhetare.

Por, mënjanë këto e të kthehemi te poeti dhe poezia, sepse numri i madh të veprave të krijimtarisë së tij i përkasin kësaj gjinie letrare.

Poeti, Adem Gashi nuk është aplikuesi, por krijuesi i figurave poetike dhe është gurra e formimit të fjalëve të reja, sipas metodologjisë së fjalëformimit të shqipes. Poezia e Adem Gashit dallohet për depërtimin e saj në honet e mistershme të shpirtit njerëzor dhe, po kështu, dallohet edhe për transmetimin e ideve, kuptimit e mendimit.

Prandaj, poezia e tij, për aq sa është poezi e ndjenjës, është edhe poezi cerebrale. Kjo dikotomi poetike, pra, e para që ka të bëjë me konfigurimin bërthamës emocionle si njësi autonome e sintaksës poetike, pikaset tek e dyta, në formulimin dhe shqiptimin e ideve nëpërmjet figuracionit, ndërtimit të kompozitave dhe intonimit estetik e filozofik të mendimit.

Poetit Adem Gashi nuk mundet askush t’i bëjë vëllamëri në ndërtimin e strukturës poetike. Ai mbetet autori i përkushtuar në sistemimin e materialit poetik duke gërshetuar dy sisteme, atë tematik dhe motivor, deri në shkallën e krativitetit artistik. Në këtë rast, ndër shumë të tjerë, do të përmendja librin “E shkrueme për Kryeshpendin”, (Buzuku, 2019), i cili ka 64 madrigale dhe një sonet, të strukruar në katër cikle: Hana e moçme, Hana e plotë, Hana e re dhe Djelli. A nuk janë këto katër stinët e natyrës, katër stinët e jetës së njeriut, katër stinët edhe të kryeshpendit, shqiponjës pra, kësaj figure zoomorfike, e cila na vjen domosdoshmërisht në cilësinë e totemit poetik, jo vetëm të autorit, por edhe të etnikumit shqiptar.

Adem Gashi është mjeshtri i vargut të lirë dhe filigranisti i fjalës, qoftë kur shkruan në shqipen standarde, qoftë në dialiektin gegë, pa harruar këtu të përmendim edhe faktin se ka shkruar edhe poezi a motërzime poetike edhe në toskërishte. Por, diku tjetër qëndron e veçanta e këtij autori, kur flasim për gjuhën poetike: Adem Gashi, është poeti, i cili me vetëdije krijuese di t’i bëjë të bashkëfrymojnë në një të njëjtën poezi edhe standardi edhe dialekti, si dhe, për ta çuar edhe më tej nivelin artistik e estetik, ani pse rrallë, ai, guxon të “ekspretimentojë” me forma shprehëse, duke kombiniar madje, vargun lirik me vargun epik.

Adem Gashi, është dhe poetik, i cili sikur me stetoskop dëgjon të rrahurat e zemrës së poezisë, ai ia ndien pulsin vargut poetik, prandaj poezia e tij shquhet për ritmin, intonacionin dhe gradacionet e tij. Megjithëkëtë, Ademi është dhe poeti, i cili ka ditur ta reduktojë, madje ndonjëherë deri në abstenencë, emocionin personal për t’i hapur rrugë kështu, gradacioneve të ndryshme të përjetimit nga ana e recipientit. Shi për këtë, ky poet iu ka shmangur me elegancë piskamave e bërtitjeve, brohorimave e ofshameve patetike qoftë kur shkruan për humbjen, për vetminë, për dhembjen a pikëllimin, qoftë kur shkruan për plagët e atdheut, për copëtimin e gjeografisë kombëtare, për luftën dhe gjakun e dëshmorëve, për qiellin dhe njeriun shqiptar.

Dhe, para se ta përmbyll, më duhet të kthehem në fillimin e kësaj fjale, te figura shumëdimensionale e Adem Gashit.

Ata që e njohin krijimtarinë artistike dhe bibliografinë e Adem Gashit, e dinë se verpën e tij të dytë, të botuar nga Rilindja, më 1985 e ka titulluar “Duke punuar autoportretin”. Pse e solla këtë titull para jush?

Sepse, s’mend se, Adem Gashi, gjatë gjithë jetës, qoftë të asaj krijuese e artistike, qoftë të jetës së rëndontë personale, s’ka bërë gjë tjetër pos që ka piktuaruar autoportretin vetanak. Ka krijuar një portet që me veçantitë dhe me të gjitha ngjyrat e krijimtarisë së tij do të mbetet si njëri ndër autorët më të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqipe.

Fjalë rasti, në “Orën përkujtimore” për Adem Gashin, organizuar nga Art Club “Rifat Kukaj” dhe shtëpia botuese “Armagedoni”, sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar Administratën Tatimore të Kosovës se…