Programi i PDK-së parasheh vaksinimin e 70% të popullatës deri në fund të verës

22 janar 23:42

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot programin e PDK-së për rimëkëmbjen e shëndetësisë.

Në katër shtyllat që ka prezantuar ai, si të parën e ka vënë luftën kundër pandemisë dhe vaksinimin e të gjithë popullatës. Ismaili, gjatë prezantimit, ka thënë se fatkeqësisht, aktualisht në Kosovë nuk ka ende asnjë vaksinë, nuk ka as datë të fillimit, dhe as plan se si do të bëhet vaksinimi dhe kur do të përfundojë pandemia.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se vaksinimi është prioriteti më i lartë për shëndetin publik. Qeverisja e PDK-së do të vendosë kontaktet e menjëhershme me prodhuesit kryesorë në botë dhe me një transparencë të plotë do të nënshkruajë kontratat për t’i blerë vaksinat për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ismaili.

Më tej, ai ka zbuluar se qeverisja e PDK-së do të funksionalizoj 30 qendra të vaksinimit në gjithë Republikën e Kosovës.

“Vaksinimi do të kryhet shpejt – duke filluar nga ata që kanë nevojë më së shumti, e jo nga ata që mbajnë privilegje. Qeverisja e PDK-së do të ndjekë trendin e përcaktuar nga Bashkimi Europian, ku deri në fund të verës të vaksinohen 70% të popullatës sonë”, ka thënë Ismaili.

Në kuadër të luftimi të pandemisë, Ismaili ka thënë se do të realizojnë edhe qendra për testim në të gjithë Kosovën, pako mbështetëse për të gjithë të infektuarit me Covid dhe kujdes i shtuar do ti kushtohet shëndetit mendor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Vëllaznimi ka mbajtur mbledhjen e parë me kryesinë e…