Prokurori i Shtetit po përcjell procesin zgjedhor në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut

29 nëntor 2020 | 13:08

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetarë të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

“Që nga ora 7:00 e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut. Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”.

“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo shkelje që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës”, është theksuar në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në orën 11:00 në Podujevë kanë votuar 8.27 për qind e votuesve apo 7,223 persona ndërsa në Mitrovicë të Veriut 12.62 për qind apo 2,942 votues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar ndaj disa…