Prokuroria: Asnjë rast penal në procesin e rivotimit në Istog

17 dhjetor 2017 | 21:49

Sipas prokurorisë së shtetit, nuk ka pas elemente të ndonjë vepre penale gjatë procesit zgjedhor në Istog.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në ora 20:30, në rivotimin për kryetar të komunës së Istogut, janë raportuar vetëm 4 raste lidhur me këtë proces zgjedhor. Pas marrjes së informatave se një anëtar i një subjekti politik në Istog, ka dhënë para për të blerë vota, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari, ndërkaq rasti është iniciuar me raport të veçantë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas një komunikate për medie nga prokuroria, pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët, të cilët kanë përcjell për së afërmi procesin e rivotimit për komunën e Istogut, rezulton se nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor. Po ashtu, Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të përcjellë situatën deri në përfundim të procesit zgjedhor si dhe për çdo rast do të njoftojë opinionin. “Prokurori i Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këtë proces të rivotimit”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokracia në Veprim (DnV) ka vëzhguar edhe procesin e numërimit…