Prokuroria e mbrojtja dorëzojnë parashtrimet në rastin e liderëve të UÇK-së

25 nëntor 2022 | 16:47

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”, palët ia kanë dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake, parashtrimet e tyre me shkrim.

Këto parashtrime kanë të bëjnë me pikat faktike për të cilat ata pajtohen.

“Gjykatësi i kishte urdhëruar t’i bënin parashtrimet në përputhje me rregulloren, sipas së cilës ai duhet të evidentojë pikat për të cilat prokuroria dhe mbrojtja pajtohen”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale).

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë  sqaruar se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 18 nëntor, prokurori i specializuar, ka dorëzuar një listë paraprake me 40 dëshmitarët e parë që prokuroria synon t’i thërrasë gjatë procesit gjyqësor.

“Dje, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht kërkesat e Thaçit dhe Selimit, për leje për apelimin e dy vendimeve të mëparshme të gjykatësit të procedurës paraprake, ku autorizonte prokurorin të ndryshonte listat e dëshmitarëve dhe të provave materiale”, është thënë në njoftim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e dhjetë sjellë ndeshje interesante e me rivalitet në…