Ndeshje derbi në Superligën e hendbollit

25 nëntor 2022 | 16:45

Xhiroja e dhjetë sjellë ndeshje interesante e me rivalitet në Superligën e Kosovës në hendboll. Vëllaznimi – Deçani është ndeshja që e hap xhiron e radhës, ndërsa luhet të shtunën prej orës 18:00 në Gjakovë.

Vëllaznimi është mobilizuar në kërkim të fitores së rëndësishme, ndërsa deçanasit e bëjnë udhëtimin e shkurtër me shpresë për dy pikë të reja. Vëllaznimi është i pesti në tabelë me gjashtë pikë nga shtatë ndeshje. Deçani është i teti (parafundit) me katër pikë nga tetë ndeshje, por synon shumë më tepër në vazhdim të kampionatit. Të shtunën janë edhe dy ndeshje të tjera që zhvillohen prej orës 19:00.

Kampionia dhe liderja, Besa Famgas, e pret Trepçën në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte interesante dhe e hapur thuajse deri në fund. Shpresohet për një tjetër ndeshje të fortë dhe me rivalitet. Besa ka fituar tetë ndeshjet e deritashme dhe udhëheq me 16 pikë. Trepça është e treta me 12 pikë, ndërsa mori fitore të madhe fundjavën e kaluar në Vushtrri.

Llapi – Rahoveci është ndeshja tjetër e së shtunës mbrëma. “Vreshtarët” udhëtojnë për fitore, por llapjanët do të japin më të mirën në tentim për t’i mbajtur pikët. Të dielën është ndeshja Vushtrria – Kastrioti. Kjo ndeshje luhet prej orës 18:00 dhe, po ashtu, pritet të jetë me rivalitet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
26.11.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…